Ramiz Lladrovcit i arrestohet drejtori për korrupsion

Policia e Kosovës ka arrestuar sot drejtorin e Infrastrukturës në Komunën e Drenasit, Idriz Hysenaj.

Arrestimi është kryer nga njësitë për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit në rajonin e Prishtinës, me autorizim edhe të prokurorisë kompetente.

Sipas Policisë, pas hetimeve disamujore janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me ç’rast ka rezultuar se i dyshuari me iniciale I.H., drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Drenasit, për interesa personale dhe të kompanisë së tij (kompani për ndërtimin e objekteve banesore) ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

“Pas ndermarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme, sigurimin e dëshmive, intervistimin e palëve dhe intervistimin e  personit të dyshuar me iniciale të lartpërmendura (I.H), i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit kompetent dërgohet në mbajtje prej 48 orësh për procedura të mëtejme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Arrestimi i drejtorit të Komunës së drejtuar nga kryetari Ramiz Lladrovci vjen pak ditë pas përfundimit të fushatës zgjedhore, gjatë të cilës PDK, me kryetarin e saj dhe kandidatit për kryeministër, Kadri Veseli, e kishte shpallur prioritet luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

PDK qeveris që 12 vjet, Veseli thotë se korrupsioni ‘ka rritur nivel’ në Kosovë (VIDEO)

www.kallxo.com