PDK qeveris që 12 vjet, Veseli thotë se korrupsioni 'ka rritur nivel' në Kosovë (VIDEO)

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës si dhe kandidati për kryeministër, Kadri Veseli po vazhdon të tregojë se është kundër krimit e korrupsionit.

Në një konferencë në të cilën nuk u lejuan as pyetjet e gazetarëve, Veseli nënshkroi një pakt me 10 pika kundër korrupsionit.

“Nuk është sekret që korrupsioni ka rritur nivel në vendin tonë dhe po e dëmton atë. Miqtë tanë kanë shprehur shqetësimin për korrupsionin dhe nepotizmin më vendin tonë.  Sot, shumë të rinj po largohen nga vendi. Ata largohet për shkak të mundësive të pabarabarta. Asnjë parti politike në Kosovë nuk është pa faj. Javët e fundit kam folur për luftën kundër korrupsionit dhe listën e pastër pa aktakuza. Unë sot propozoj një pakt kundër korrupsionit me 10 pika”, ka thënë Veseli para gazetarëve.

Ai tutje tha se njëra nga këto pika mund të materializohet që këtë javë dhe e cila është që të pastrohen listat nga personat me aktakuza për korrupsion edhe nepotizëm.

“Unë do ta nënshkruaj këtë pakt 10 pikesh dhe do te a dërgoj kryetarëve të partive politike”, ka thënë Veseli.