Ramiz Kelmendi. Foto: Facebook

Ramiz Kelmendi nën hetime, dyshohet për presion te punëtorët për vota

Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se po e heton biznesmenin dhe ish-deputetin Ramiz Kelmendin.

Kjo pas deklaratave të tij se është duke kërkuar votën nga të punësuarit në kompaninë e tij, me qëllim të favorizimit dhe votimit për njërën nga partitë politike të Kosovës.

Ramiz Kelmendi po dyshohet për veprën penale Cënim i përcaktimit të lirë të votuesve, vepër kjo e cila sipas Kodit Penal është e dënueshme nga 1 deri në 5 vjet Burg.

Në Kodin Penal të Kosovës thuhet “ Kushdo që me përdorim të forcës apo kanosjes serioze, ose me keqpërdorim të varësisë ekonomike dhe profesionale të votuesit ndikon ose detyron votuesin në Republikën e Kosovës që të votojë në mënyrë të caktuar ose të mos votojë në zgjedhje, dënohet me një (1) deri në pesë (5) vjet burg “

Po ashtu Prokuroria e Prishtinës ka iniciuar edhe një rast tjetër për hetim, në bazë që qarkullimit të një video – inqizimi, ku vërehet një person i cili dyshohet se përmes një pakoje të shoqatës humanitare “ Nëna dhe fëmijë të lumtur “ është duke zhvilluar aktivitet politik në lidhje me Zgjedhjet  Parlamentare.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e veprimeve përkatëse hetimore, me qëllim të sqarimit dhe identifikimit të personave të implikuar në këto raste.