Rama për takimin e nesërm në Bruksel: Lutem të mos jetë një xhiro bosh dhe përsëritje e këngës fajin e ka tjetri
Në prag të takimit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook.
Ai ka thënë se lutet që ky takim të mos jetë një tjeter “xhiro bosh” teksa shton se pavarësisht lidhjeve me Kosovën, Rama është në një linjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian.
“Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel dhe unë, si gjithnjë, lutem që mos të jetë një tjetër xhiro bosh, për një tjetër përsëritje të këngës “fajin e ka tjetri”. Pavarësisht lidhjeve tona të ngushta dhe marrëdhënies unike ndoshta në botë me Kosovën, si shteti tjetër shqiptar në kufi me Shqipërinë, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi të përputhur plotësisht në linjën e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të realizuar planin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë” – ka shkruar Rama.
Rama thotë se Shqipëria nuk e sheh Kosovën “si të vetmen përgjegjëse për futjen e dialogut në qorrsokak” por në anën tjetër ka kushtëzuar edhe raportet me Serbinë nëse kjo e fundit nuk tregohet e përgjegjshme në dialog.
“Por më duhet ta ritheksoj, se sa më lart nuk do të thotë aspak se Shqipëria e sheh Kosovën si të vetmen përgjegjëse për futjen e dialogut në qorrsokak. Assesi jo. Kosova bëri një hap të konsiderueshëm në drejtimin e shumëpritur, duke e pranuar planin franko-gjerman pa referencë për njohjen reciproke dhe duke pranuar po ashtu, propozimin e vetë-menaxhimit për komunitetin serb”- është shprehur Rama.
“Shqipëria i ka shtrirë Serbisë dorën e miqësisë. Në mënyrë ironike, ka ndodhur në ndonjë rast të jemi i vetmi vend në rajon që ka folur hapur kundër sanksioneve ndaj Serbisë dhe e kemi shpjeguar qartë pse jemi të bindur në këtë qëndrim. Megjithatë, dhe kjo duhet theksuar, një përfundim i suksesshëm i procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm edhe për të ardhmen e qëndrueshme të marrëdhënieve Shqipëri – Serbi”- shton ai.
Më tej, Rama thekson se Kosova po ndjek taktika që e dëmtojnë atë dhe e ndihmojnë Serbinë të viktimizohet në arenën ndërkombëtare.
“Për fat të keq, teksa përpiqem pa sukses të kuptoj taktikat e qeverisë së Kosovës, mbetem po aq i pasuksesshëm në përpjekjen për të kuptuar strategjinë e dialogut të Serbisë. Dyshoj se strategjia e Beogradit është të vonojë proçesin dhe të përfitojë sa më shumë nga taktikat vetëdëmtuese të Prishtinës, të cilat e kanë ndihmuar vijimësisht viktimizimin e Serbisë ne arenën e ndërkombëtare”- deklaron kryeministri shqiptar.
Kryeministri i Shqipërisë nënvizon se nëse gjërat shkojnë keq, Shqipëria dhe shqiptarët janë me Kosovën.
“Fatkeqësisht po ashtu, disa harrojnë se nuk jemi më në vitet ‘90 të shekullit të kaluar. Shqipëria është për paqe, pajtim, ardhmëri të përbashkët dhe pikë. Por megjithatë, nëse gjërat shkojnë keq, Shqipëria dhe shqiptarët janë me Kosovën, e këtë s’e luan topi. Thënë kjo, unë me sinqeritet shpresoj që të gjithë të përfshirët në procesin e normalizimit të jenë të vetëdijshëm për atë çfarë luhet sot mes Kosovës e Serbisë dhe të kuptojnë dreqi e mori, që çdo alternativë tjetër, përveç zbatimit të menjëhershëm, gjithëpërfshirës, të marrëveshjes mbi planin franko-gjerman në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është lojë me zjarrin, ku kush luan do të digjet i pari, po akoma më keq, në fund do të përvëlohet krejt rajoni, po nuk do të shpëtojë pa u përcëlluar edhe vetë Europa” – ka thënë ai.
Përfundimi i suksesshëm i procesit të normalizimit të Kosovës e Serbisë sipas Ramës, janë parësore për paqen dhe sigurinë rajonale, po edhe për sigurinë e vetë Europës.