Rama për Financial Times: Veriu i Kosovës është bërë me kalimin e viteve një tokë e askujt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se NATO duhet të rivendosë kontrollin në veriun e Kosovës ose të përballet me dhunën e vazhdueshme mes serbëve etnikë dhe shqiptarëve në rajon.

Rama, për Financial Times ka thënë se veriu i Kosovës ndër vite është bërë tokë e askujt.

“Kosova është një pikë e nxehtë” -tha Rama. [Veriu i Kosovës] është bërë me kalimin e viteve një tokë e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”- ka deklaruar ai.

Rama ka bërë thirrje për një konferencë të nivelit të lartë që përfshin liderët e Francës dhe Gjermanisë dhe ri angazhimin e SHBA.

“Kjo është [mënyra] më e mirë për të dalë nga kjo çmenduri e pafund” – ka thënë Rama, shkruan Financial Times.

Sipas Ramës, jostabiliteti në Ballkanin Perëndimor i shërben interesave të Moskës.

“Kremlini do të dëshironte gjithashtu të shihte një Donbas të vogël në Kosovë dhe të ndezte një zjarr separatizmi në mes të Evropës” – ka thënë tutje ​Rama.

Financial Times e ka ndryshuar këtë artikull, nën arsyetimin se kjo është bërë për të sqaruar komentet e Edi Ramës për veriun e Kosovës.

“Ky artikull është ndryshuar për të sqaruar komentet e Edi Ramës për veriun e Kosovës” – shkruan gazeta britanike në fund të artikullit.

Deklarata e Ramës se veriu i Kosovës është bërë tokë e askujt, ka ngjallur reagime në opinionin publik.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, këtë deklaratë e ka quajtur skandaloze e antikombëtare.

“Kuvendi i Shqipërisë duhet ta thërras urgjentisht Edi Ramën në interpelancë për deklaratën e tij ne Financial Times se Kosova është ‘toke e askujt’ Skandaloze, antikombëtare! duhet hulumtuar origjina kombëtare e tij!”- ka shkruar ajo.

Kërkesën që për sigurinë e veriut të Kosovës të vendoset misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë – KFOR, Rama e ka përsëritur tashmë disa herë, pas zhvillimeve të fundit dhe sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Një kërkesë të tillë e ka bërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit që të martën ka zhvilluar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Lidhur me ketë çështje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur homologut të tij shqiptar.

Kurti në një intervistë për mediumin boshnjak “Istraga.ba” ka thënë se Kosova përgjatë kufirit me Serbinë ka nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë Policinë dhe KFOR-in por jo të ndryshohet protokolli sipas të cilit Policia është reaguesja e parë.

Kurti i përgjigjet idesë së Edi Ramës që KFOR-i të marrë nën kontroll veriun e Kosovës