Rama: Falë “Ballkanit të Hapur” po negociojmë me Serbinë për të marrë një pjesë të grurit

Duke folur edhe njëherë për pasojat në ekonomi që janë shkaktuar nga lufta në Ukrainë, kryeministri Rama deklaroi se kanë nisur negociatat me Serbinë për të nxjerrë një pjesë të grurit që është kontraktuar më herët nga biznesmenët shqiptar.

Rama u shpreh se zhbllokimi i kësaj sasie gruri nga Serbia mund të vijë falë nismës së “Ballkanit të Hapur”.

“Po negociojmë me Serbinë për të nxjerrë një pjesë të grurit që është kontraktuar nga biznesmenët tanë atje. Dhe do ta bëjmë falë Ballkanit të Hapur. Këto janë faktet”, tha Edi Rama.

‘Ballkani i Hapur’ apo ‘Open Ballkan’ është nismë e tre shteteve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Përmes kësaj nisme ata synojnë krijimin e një tregu të përbashkët dhe lehtësira të tjera.

Një nismë e tillë nuk është përkrahur nga Republika e Kosovës dhe opozita në Shqipëri duke e quajtur të rrezikshme dhe si përmbushje e dëshirave të Serbisë./A2CNN