Zaev: Me Kurtin kemi mendime të ndryshme për 'Balkanin e Hapur', por s’na pengon të bashkëpunojmë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe pse ndajnë mendime të ndryshme për “Open Balkan”, pas mbledhjes së dy qeverive, u shprehën se nuk i pengon kjo çështje të bashkëpunojnë.

“Ne si kryeministra kemi mendime të ndryshme për ‘Ballkanin e Hapur’, por kjo nuk është pengesë për bashkëpunimin tonë të ndërsjellë, sepse ne e kemi për detyrë t’i shërbejmë gjithë qytetarëve tanë”, tha kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

“Unë dua ta them një gjë. Kosova është e pavarur dhe sovrane dhe i ndërton qëndrimet e veta dhe ne i respektojmë”, tha Zaev.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova është e orientuar drejt së ardhmes në anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Jemi të orientuar kah e ardhmja dhe ajo është BE. Bashkimi Evropian është fati ynë, ndërkaq Evropa është kontinenti ynë dhe si Kosovë ne mbështesim iniciativat rajonale, në të cilat e kemi BE-në e të cilat janë nga BE”, tha Kurti.

Kurti u shpreh i bindur se implementimi i 11 marrëveshjeve të arritura sot mes dy vendeve Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nuk do të cenohen pavarësisht dallimeve që kanë në qëndrime për ‘Ballkanin e Hapur’ me homologun maqedonas.

“Natyrisht që këto marrëveshje që i kemi nënshkruar, asnjëra prej tyre nuk mund të cenohet në zbatim, pavarësisht dallimeve që mund ta kemi”, tha Kurti.

Kryeministri maqedonas foli edhe për takimin në Tiranë me kancelaren, Angela Merkel.

“Na është lënë një amanet nga Kancelaria Merkel drejt kancelarit të ri, që ta vazhdojmë procesin e Berlinit, pasi ky proces që nga viti 2014 e ka ndërruar gjithë Ballkanin Perëndimor, përmes këtij procesi janë ndërtuar shumë projekte infrastrukturore”, tha Zoran Zaev.

Ai shpreson që Kosova të jetë në procesin e Berlinit.

“Ne shpresojmë që të kemi Kosovën edhe në kaptina të reja në procesin e Berlinit. Unë besoj që gjithmonë përmes dialogut dhe bisedimeve, mund të ndihmojmë shumë më tepër në krahasim me kohën para 15 vite kur liderët kanë qenë më të larguar. Kështu që jemi Ballkani i shekullit 21, ku Evropa dhe besoj gjithë bashkërisht, do të jemi anëtar të BE-së”, u shpreh Zaev.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit ballkanik”, që Kosova e ka kundërshtuar edhe më parë. Në këtë nismë, që është thënë se do të kontribuojë në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Më 29 korrik 2021, kur iu ndryshua emri kësaj nisme, në një forum ekonomik të mbajtur në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative.

Në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ishte zotuar se do të bëhej pjesë e “mini-Shengenit”.