Edi Rama: Nuk do ta ndalim ‘Ballkanin e Hapur’, nuk është ftesa për vendet e tjera ‘aman hajdeni’

Kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me udhëheqësit e dy vendeve të “Ballkanit të Hapur’ Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se nuk do ta ndalin ‘Ballkanin e Hapur’, pasi sipas tij me vendime që i kanë marr gjatë ditës së sotme mijëra njerëz përfitojnë drejtpërdrejtë.

Rama, përkundër që i ftoi t’i bashkohen kësaj iniciative edhe vendet e tjera të rajonit, tha se nuk do ta ndalin këtë iniciativë edhe nëse ata nuk i bashkohen, pasi sipas tij këtë iniciativë nuk e kanë nisur për të tjerët.

“Thirrja jonë për të tjerët që të vijnë nuk është thirrje aman hajdeni se po s’erdhët ju ne do ta lëmë këtë punë, se ne këtë punë nuk e kemi nis për të tjerët e kemi nis për Shqipërinë siç e kanë nisur secili për vendin e vet. Ata janë të mirëpritur, mund të përfitojnë nga këto nisma dhe nuk do ta ndalim ‘Ballkanin e Hapur’”, tha Rama.

Rama shtoi se ‘Ballkani i Hapur’ nuk ka të bëjë asgjë me Jugosllavinë.

“Ata njerëz që nuk duan ta ndjekin këtë nismë, apo që nuk duan që kjo nismë të ketë sukses, kur thonë se kjo është alternativë ndaj integrimit evropian ose kur thonë se kjo është të kthehesh në të shkuarën të krijosh Jugosllavinë, ‘Ballkani i Hapur’ nuk ka të bëjë me Jugosllavinë… Në samitin vijues duam ta kemi Italinë, Greqinë dhe Hungarinë”, tha Rama.

Gjatë ditës së sotme në Shqipëri janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh në kuadër të iniciativës ‘Ballkani i Hapur’.

Nga ky takim është bërë ftesë e hapur për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën që t`i bashkohen kësaj iniciative.

Nënshkruhen disa marrëveshje mes vendeve të ‘Ballkanit të Hapur’, ftesë e hapur për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën