Qytetari nga Peja ankohet se nuk arriti të vaksinohet për shkak të termineve

Sh.N paraditen e sotme shkoi në Qendrën e Vaksinimit në Pejë për t’u vaksinuar kundër coronavirusit, mirëpo ai u detyrua të kthehet pa vaksinim pasi plani i tij për të marrë dozën e parë të vaksinës dështoi.

Ai tash e një javë është munduar të bëjë termin për vaksinim kundër COVID-19, por në platformën e- kosova nuk kishte më vend për përcaktim të terminëve. Pas disa tentativave të kota për t’u regjistruar, ai shkoi edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pejë për të bërë termin fizikisht, por sërish dështoi, pasi edhe aty nuk i kanë bërë termin për vaksinim.

“Qe një javë s’po mundemi online me bë termin për vaksinim. Sot isha në qendër të vaksinimit në Pejë, me shpresë mos po mundemi me bë termin aty. Stafi na thanë nuk mundemi me ju bë termin. Pastaj, ne shkuam edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare, por as aty nuk na bënë termin. Qendra për vaksinim s’ka asnjë njeri duke pritur për vaksinim, mirëpo prapë se prapë, qytetarëve nuk po u bëjnë termine”, thotë Sh.N për KALLXO.com.

Për këtë rast KALLXO.com ka telefonuar koordinatorin e Qendrës së Vaksinimit në Pejë, Dukagjin Sahatxhiu. Ai theksoi se stafi janë duke punuar vazhdimisht pa u ndërprerë mirëpo terminet janë anuluar nga Ministria e Shëndetësisë deri më 6 shtator.

Ai po ashtu shtoi se ka informacione se të hënën vjen kontingjenti i ri me vaksina dhe do të lirohen terminet për vaksinim.

“Nuk kanë bo termin. Nuk kanë faj qytetarët se nuk ka termine tash e disa ditë janë të bllokume. I ka blloku qeveria, i ka blloku Ministria deri më 6 shtator nuk ka termine, është sasia e vaksinave problemi. Pa ardh kontingjenti i ri i vaksinave, nuk ka termine, pasi për ato terminë, janë të përcaktuar vaksinat. Kam informata që të hënën lirohen terminët, sepse vjen kontingjenti i ri”, thotë koordinatori për KALLXO.com.

Sahatxhiu gjithashtu tregon se qytetarët e Pejës të cilët nuk arrijnë të bëjnë termine për vaksinim përmes platformës e- kosova, nuk duhet të shkojnë për termine në Qendër të Vaksinimit por duhet të shkojnë tek reparti i pediatrisë në QKMF dhe të përcaktojnë termine.

Deri në orën 13:30 në Qendrën e Vaksinimi të Pejë janë vaksinuar rreth 600 qytetarë, përderisa gjatë ditës në këtë qendër vaksinohen mbi 1,100 qytetarë.

Në nivel vendi për 24 orë janë vaksinuar 15 mijë e 862 qytetarë, ndërsa nga 29 marsi i këtij viti janë vaksinuar me një dozë 780 mijë e 637 qytetarë si dhe 261 mijë e 818 qytetarë me dy doza.

Ministria e Shëndetësisë nga të dhënat e fundit ka bërë të ditur se 16 qytetarë kanë vdekur me COVID-19 përderisa 2 mijë e 98 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me SARS-CoV-2.