Ilustrim

Qytetari në Fier dyshohet se shkaktoi zjarr nga motosharra, digjen rreth 100 rrënjë ullinj

Një qytetar në Fier dyshohet se shkaktoi zjarr gjatë kohës që punonte me motosharrë në tokën në përdorim të tij.

Ndërsa sipas njoftimit, Policia e Shqipërisë e ka arrestuar të dyshuarin për shkaktim zjarri.

“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një zjarr të rënë në fshatin Peshtanbregas, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë arrestuar shtetasin Julian Metushi, 47 vjeç, pasi dyshohet se gjatë kohës që ka qenë duke punuar me motosharrë elektrike, është krijuar një shkëndijë dhe për pasojë ka rënë zjarr në tokë” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Nga përhapja e flakëve për shkak të erës, dyshohet se janë djegur rreth 100 rrënjë ullinj, në pronësi të këtij shtetasi dhe të banorëve të tjerë të zonës, si dhe rreth 5 hektarë tokë me shkurre dhe bimësi të ndryshme.

“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”, – thuhet tutje në njoftimin e Policisë së Shtetit.