Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Quni: FSK-ja ka edhe Shërbim Inteligjent Ushtarak

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, në intervistë në Kallxo Pernime përballë Jeta Xharrës ka treguar se FSK-ja ka edhe Shërbim Inteligjent Ushtarak.

“Në vitin 2028 kur të shpallen kapacitetet e plota të FSK-së, çdonjëri që e synon territorin e Kosovës duhet të mendohet mirë. Nëse diçka që duhet me vlerësu është që kemi ngrit kapacitetet për të vlerësu situatën jashtë Kosovës. Për çdonjërin i dijmë pikat e forta dhe të dobëta, sa janë demoralizu nga luftërat e fundit. Sa forca janë të orientuara nga Kosova, e sa nga Kroacia. Kemi Shërbim Intelegjent Ushtarak të Kosovës, që nga formimi i FSK-së, çdo ditë janë duke u rrit”, ka thënë Quni.

Ai ka thënë se FSK ka arritur me realizu buxhetin prej 62 milionë euro gjatë vitit të kaluar.

“Për momentin ushtarët janë të armatosur me armë sulmuese, armë individuale dhe ditët e fundit kemi arrit të sistemojmë snajperët e teknologjisë së fundit. Jemi në kontraktim edhe të armatimit të rëndë që do të pajisemi këtë vit. Jemi në bisedime për sigurime të armëve kundër luftarakeve e të aviacionit ushtarak. Janë procese në fillim, vazhdim dhe në përfundim”, tha Quni.