Qiramarrësit i shfrytëzojnë pa kontrata pronat e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Komuna e Mitrovicës së Jugut nuk i ka menaxhuar mirë pronat komunale të dhëna me qira.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur disa raste në këtë komunë që këto prona nuk janë menaxhuar siç duhet.

ZKA ka gjetur se Kuvendi Komunal përmes ankandit kishte dhënë në shfrytëzim tokë komunale me datën 10 nëntor 2010 për periudhën 10 vjeçare. Auditori ka gjetur se kontrata ka skaduar dhe komuna nuk kishte iniciuar ndonjë proces për vazhdimin/ndërprerjen e saj. Qiraja mujore ishte me vlerë 679 euro e cila vlerë nuk ishte faturuar dhe arkëtuar në dhjetor 2020.

Po ashtu Auditori ka gjetur se për dy lokale të dhëna me qira kontratat kishin skaduar me 05 janar 2020 dhe nuk janë vazhduar. Këta qiramarrës vazhdojnë t’i shfrytëzojnë ato për shkak se priten procedura të ankandit.

Komuna e Mitrovicës së Jugut nuk i ka menaxhuar mirë as banesat e dhëna me qira për familjet e dëshmorëve.

Sipas ZKA-së, në komplekset banesore të dhëna me qira për familjet e dëshmorëve dhe rastet sociale në total 36 banesa, komuna nuk kishte bërë verifikimin e gjendjes ekonomike të shfrytëzuesve të banesave ashtu siç parashihej me kontratë, derisa të njëjtit qiramarrës vazhdojnë ti shfrytëzojnë ato.

Edhe për 13 banesat e dhëna me qira për fondin për kuadro, kontratat kishin skaduar në vitin 2016 dhe nuk janë vazhduar më, pasi që në koordinim me MMPH banesat duhet të trajtohen sipas Ligjit të programeve të veçanta të banimit. Qiramarrësit vazhdojnë t’i shfrytëzojnë ato. Komuna nuk arkëton të hyra dhe nuk i faturon qiramarrësit. Të njëjtit kishin paditur komunën lidhur me ligjshmërinë e kontratave.

Sipas ZKA-së, këto situata mund të ndikojnë që të nxiten edhe obliguesit tjerë t’i shmangen pagesës së obligimeve. Mos arkëtimi i qirave nga dhënia në shfrytëzim e pronave, komunës i shkakton humbje buxhetore dhe rritë rrezikun e dështimit të projekteve të planifikuara nga burimet vetanake, apo edhe projekteve të reja në dobi të qytetarit.

Auditori ka rekomanduar kryetarin se duhet të sigurojë se janë ndërmarrë veprimet e duhura ligjore që pronat e shfrytëzuara nga personat privat apo juridik të rikthehen nën kontroll të komunës, ose të bëhet ripërtërija e kontratave në mënyrë që komuna të arkëtojë të hyra nga dhënia në shfrytëzim e pronave.

Sipas Ligjit, prona e paluajtshme e komunës mund të jepet në shfrytëzim për të gjithë personat fizik dhe juridik me një afat të caktuar.

Sipas kushteve të kontratave, pagesa e obligimit duhet të bëhet deri me datën 05 të çdo muaji vijues. Në kontrata specifikohet se Kuvendi Komunal çdo 2 vjet, do të bëjë rivlerësimin e gjendjes ekonomike të familjeve, me qëllim të vazhdimit/ndërprerjes së vlefshmërisë së kontratës. Pas përfundimit të afatit të përcaktuar në kontratën për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës, prona i kthehet komunës.