Qeveria propozon masë ligjore për të përcaktuar çmimin tavan të produkteve esenciale

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka deklaruar se janë duke punuar rreth për të një masë ligjore rreth produkteve bazike, ku bizneseve do t’u caktohet marzha tregtare e fitimit apo çmime tavan për produktet esenciale.

“Pas koncept-dokumentit që ka zhvilluar grupi punues i MINT-it ne tani e kemi krijuar grupin e dytë punues për masën ligjore për produktet esenciale që do të jenë këto produkte: gruri, mielli, buka, orizi, pasta nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, veza, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjienike”, tha ministrja Hajdari në konferencë për media.

Sipas ministres Hajdari, ky grup punues do të analizoj dhe pastaj propozoj mënyrën se si do vendoset këto masa.

“Grupi punues tani i themeluar do të analizojë se cilën masë ligjor do ta marrim, se a do të shkojmë me çmime tavan apo marzhë tregtare. Kjo varet nga analiza që do të vijnë. Të gjitha këto do të ndodhin shumë shpejt. Për brenda një jave, ne kemi analizuar këtë situatë në treg. Ashtu sic kemi vepruar për naftën mund të veprojmë edhe për produkte tjera, varet nga analiza e situatës. Do të marrim një masë që do të ndalojë spekulimet sepse jemi të informuar çdo ditë nga Dogana për çmimet furnizuese nga importi”, shtoi ministrja.

Ministrja Hajdari ka thënë se çmimi furnizues i importit i grurit dhe miellit ka pasur rënie për 7% që nga muaji maj.

“Kjo evidencë është konfirmuar edhe nga grupi punues, që tregon se në disa furra ka dallime të larta në çmime. Me këtë situatë, ne në vazhdim të analizës nga rrjeti i operatorëve të shitësve me pakicë, shohim që kemi një dallim tepër të lartë. Marzha tregtare e fitimit ka qenë nga 4 deri 19 për qind”, u shpreh ministrja Hajdari.

Ajo gjithashtu njoftoi se 70% e nevojave të tregut mund të mbulohen nga prodhuesit vendor ‘pas subvencioneve të Qeverisë”.

Ndërkaq, Bashkim Zejnullahu kryetar i Shoqatës së Mullistëve, u shpreh kundër abuzimeve me çmime në këtë “gjendje inflacioni”.

“Ne jemi të angazhuar që të ketë stabilitet dhe furnizim për tregun e brendshëm. Nuk kemi nevojë për ngritje të çmimeve. S’ka nevojë për shqetësim, kemi grurë të mjaftueshëm. Nuk varemi nga importi i Rusisë dhe Ukrainës. Ne importojmë nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Serbia dhe Kroacia, si vende më të afërta”, tha ai.

Më 30 qershor, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të hartohet një projektligj që përcakton marzhën e fitimit për produktet bazë me 8%.

Në Kosovë muajt e fundit ka pasur rritje të çmimeve të produkteve esenciale si dhe derivateve të naftës për të cilat qeveria ditë më parë ka marrë vendim për që të vendos çmim për të gjitha pikat e karburanteve.