Burgu i Gjilanit | Foto: KALLXO.com

Qeveria: Nuk kemi njoftim zyrtar për pezullimin e marrëveshjes me Danimarkën për burgun Gjilanit

Ministria e Drejtësisë në një përgjigje të shkurtë për KALXLO.com ka se nuk ka asnjë njoftim zyrtar për pezullim të marrëveshjes mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Danimarkës për marrjen në shfrytëzim të burgut të Gjilanit për ministrinë e Drejtësisë.

“Sipas komunikimeve zyrtare me qeverinë daneze, nuk është pezulluar marrëveshja për dhënien në shfrytëzim të burgut të Gjilanit për institucionet daneze”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për KALLXO.com.

Në dhjetor të vitit 2021, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, kishte njoftuar se kanë vendosur që Qendrën e Paraburgimit në Gjilan do t’ia ofrojnë Ministrisë së Drejtësisë së Danimarkës për vendosjen e 300 të burgosurve për një periudhë 10 vjeçare.

“Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka rënë dakord që Ministrisë së Drejtësisë së Danimarkës t’i ofrojë Qendrën e Paraburgimit në Gjilan për vendosjen e 300 të burgosurve për periudhën 5 plus 5 vite, pra periudhën 10 vjeçare” – kishte thënë Haxhiu.

Kjo sipas Haxhiut ka ardhur pas gatishmërisë së Danimarkës për të transferuar të burgosurit e saj në shtetin tonë.

Haxhiu më 27 prill të këtij viti gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane ka përmendur marrëveshjen e Kosovës me Danimarkën për sjelljen e 300 të burgosurve danezë në Kosovë.

Sipas Haxhiut, kjo marrëveshje është bërë nga qeveria e kaluar.

Mirëpo, ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë Hoti, Selim Selimi më 27 prill, kishte thënë për KALLXO.com se gjatë qeverisjes së tij janë kanë filluar vetëm kontaktet e para me shtetin danez për këtë temë.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut kishte reaguar pas marrëveshjes mes Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë dhe asaj në Danimarkë, që këta të fundit të marrin 300 qeli me qira në Kosovë për të vendosur të burgosurit e shteteve të treta në to.

KMDLNj fillimisht ka shprehur se të gjitha bisedimet për këtë çështje janë bërë në mungesë të transparencës së plotë dhe të llogaridhënies.

“Sipas të të dhënave kjo Marrëveshje, ende e panënshkruar dhe e pa ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit në afatin 10 vjeçar siguron 210 milionë euro për Kosovën sikur që përmenden edhe përfitime tjera të paspecifikuara”- thuhej në reagimin e KMDLNj-së.