Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosova i jep Danimarkës burgun e Gjilanit për 10 vjet

Në konferencën e sotme ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, tha se kanë vendosur që Qendrën e Paraburgimit në Gjilan do t’ia ofrojnë Ministrisë së Drejtësisë së Danimarkës për vendosjen e 300 të burgosurve për një periudhë 10 vjeçare.

“Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka rënë dakord që Ministrisë së Drejtësisë së Danimarkës t’i ofrojë Qendrën e Paraburgimit në Gjilan për vendosjen e 300 të burgosurve për periudhën 5 plus 5 vite, pra periudhën 10 vjeçare”, tha Haxhiu.

Kjo sipas Haxhiut ka ardhur pas gatishmërisë së Danimarkës për të transferuar të burgosurit e saj në shtetin tonë.

“Gatishmëria e Danimarkës për t’ia besuar Kosovës transferimin e të burgosurve dëshmon përparimin që vendi ynë ka bërë më shumë për respektimin e të drejtave të njeriut dhe reformat e sundimit të ligjit”.

Sipas Haxhiut, ky transferim i të burgosurve do të ndodhë pasi Kosova është vlerësuar si palë serioze për respektimin e të drejtave të personave të privuar nga liria.

“Republika e Kosovës është vlerësuar si palë serioze, administrimi i mirë i institucioneve korrektuese, respektimi i të drejtave personave të privuar nga liria dhe kapacitetet e mjaftueshme janë vlerësuar edhe nga raporte kredibile”, tha Haxhiu.

“Ne do të jemi në diskutime për detajet e marrëveshjes deri në ratifikimin e saj në Kuvendin e Kosovës”, tha Haxhiu.

Ndërsa ministri i Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës, Nick Hakeru ka falënderuar Kosovën për siç tha ai “mikpritjen që na kanë bërë dhe kam kënaqësinë që kemi nënshkruar një letër qëllimi i të cilit është gurthemel për marrëveshjet e ardhshme”.

Ai tha se Kosova ishte kontaktuar para një viti për këtë gjë dhe gjatë gjithë kohës kanë pasur një dialog të mirë e të mirëkuptimit të plotë.

Hakeru tha se kjo marrëveshje do të ndihmojë Kosovën të zhvillojë kapacitetet e saj në sundimin e ligjit.

Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli tha se kishte kënaqësinë të nënshkruaj marrëveshjen e cila brenda saj përmban edhe mundësitë e zhvillimit të sektorit të energjisë, meqë financat që Kosova do përfitoj nga kjo marrëveshje, do shtrihen në sektorin energjetik të vendit.

“Kriza energjetike na përkujtoi edhe një herë se sa e rëndësishme është të kemi siguri të furnizimit me energji dhe nevojën për diversifikim të burimeve energjetike”, tha Rizvanolli.