Burgu i Gjilanit | Foto: KALLXO.com

Haxhiu: Marrëveshjen për të burgosurit danezë e kam trashëguar nga qeveria e kaluar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane ka përmendur marrëveshjen e Kosovës me Danimarkën për sjelljen e 300 të burgosurve danezë në Kosovë.

Sipas Haxhiut, kjo marrëveshje është bërë nga qeveria e kaluar.

Rreth 300 të burgosur danezë pritet të vendosen në Burgun e Gjilanit.

Haxhiu gjatë raportimit para Komisionit për Integrime Evropiane tha që Kuvendi është institucioni i cili do të vendos përfundimisht për këtë marrëveshje

“Është një marrëveshje që e kam trashëguar kur kam ardhur në krye të Ministrisë së Drejtësisë. Duke pasur parasysh bashkëpunimin e mirë me Mbretërinë e Danimarkës, çuditem me qeverinë e kaluar që bëhen që nuk kanë pasur informacione për këtë. Dje e kemi nënshkruar traktatin por fjalën e fundit e ka Kuvendi”, tha ajo.

“Çuditem me ish qeverinë e kaluar që bëhen që kishe nuk kanë qenë të informuar në raport me këtë, s’ka mundësi që një ministër i drejtësisë të jetë duke negociuar për një marrëveshje ndërkombëtare, e të mos dijë kryeministri i vendit”, tha Haxhiu në mes tjerash.

Haxhiu dje ka njoftuar se zyrtarisht është nënshkruar traktati për transferimin e të dënuarve nga Danimarka në Kosovë me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

Nënshkrimi i traktatit pason nënshkrimin e letër-qëllimeve ndërmjet ministrave të drejtësisë dhe ekonomisë të dy vendeve më 21 dhjetor 2021, i cili shpreh përkushtimin për zgjerimin e bashkëpunimit politik dhe zhvillimor, duke nxitur dhe thelluar tutje partneritetin ndërmjet dy vendeve, në fusha me interes të përbashkët.

Kosova dhe Danimarka janë pajtuar që 300 te burgosur nga ky vend të sjellën në Kosovë.

Sipas ministrisë së drejtësisë, Kosova nga kjo marrëveshje përfiton 210 milion euro.

Ministria e Drejtësisë për pranimin e 300 të burgosurve nga Danimarka: Kosova përfiton mbi 200 milionë euro