Ilustrim

KMDLNj: Bisedimet për të burgosurit nga Danimarka ishin zhvilluar në mungesë të transparencës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut ka reaguar pas marrëveshjes mes Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë dhe asaj në Danimarkë, që këta të fundit të marrin 300 qeli me qira në Kosovë për të vendosur të burgosurit e shteteve të treta në to.

KMDLNj fillimisht ka shprehur se të gjitha bisedimet për këtë çështje janë bërë në mungesë të transparencës së plotë dhe të llogaridhënies.

“Sipas të të dhënave kjo Marrëveshje, ende e panënshkruar dhe e pa ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit në afatin 10 vjeçar siguron 210 milionë euro për Kosovën sikur që përmenden edhe përfitime tjera të paspecifikuara”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Tutje ata kanë thënë edhe se lokacioni ku parashihet të vendosen 300 të dënuar nga Mbretëria e Danimarkës është Qendra e Paraburgimit në Gjilan.

“Qendra e Paraburgimit në Gjilan është e përcaktuar që aty të vendosen personat e paraburgosur dhe vetëm një numër i vogël (me dënime më të ulëta, profesionistë që i duhen Q.P apo transferohen nga qendrat tjera si të veçuar për shkak të shkeljeve disiplinore) i të dënuarve mund të vendosen në këtë Qendër”, thuhet tutje në reagim.

Nga aspekti i të drejtave të njeriut , qendra e paraburgimit në Gjilan sipas KMDLNj-së, nuk i plotëson kushtet për të dënuarit që do të vuanin aty dënimin përkundër faktit se kjo qendër është më e kompletuar se të tjerat.

“Për ta shndërruar Q.P në Gjilan në Qendër Korrektuese duhen shumë mjete dhe shumë kohë sikur që duhet të zhvendosen 200 (afërsisht) të paraburgosur dhe të dënuar në qendrat tjera. Për faktin se shumica e të privuarve nga liria por edhe stafit korrektues janë nga rajoni i Anamoravës, zhvendosja e të burgosurve në qendrat tjera do t’ua vështirësojë vizitat familjare dhe do të shkelej e drejta e personave të privuar nga liria”, thotë KMDLNj.

 Më poshtë po u përcjellim edhe pjesën tjetër të reagimit të KMDLNj-së:

Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale që është e vetmja bazë ligjore që rregullon trajtimin e personave të dënuar në Kosovë nuk do të zbatohej në Q.P në Gjilan ku do të ishte në fuqi Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale e Mbretërisë së Danimarkës e që paraqet nonsens juridik dhe logjik kur në një vend zbatohen dy ligje për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të dy shteteve të ndryshme që e përjashtojnë njëra – tjetrën si nga forma e në veçanti nga përmbajtja.

Është një Marrëveshje e tillë – e ngjashme midis Belgjikës, Holandës dhe Norvegjisë mirëpo ato janë anëtare të BE-së dhe punojnë sipas standardeve të BE-së.

Në kohën kur në këto shtete janë detyruese standardet maksimale për trajtimin e personave të privuar nga liria,  në Kosovë që nuk është anëtare e BE-së vlejnë standardet minimale për trajtimin e të dënuarve. Tash, nëse Marrëveshja ratifikohet nga Kuvendi, në Kosovë do të kemi trajtim diskriminues të personave të privuar nga liria në Q.P në Gjilan do të kemi trajtim maksimal sipas ligjeve të Danimarkës kurse në qendrat tjera trajtim sipas standardeve minimale.

Nga aspekti i të drejtave të njeriut është një diskrimin i rëndë i cili nuk do të duhej të lejohej e sidomos nuk do të duhej të përligjej nga deputetët e Kuvendit të Kosovës aq në parë që në mungesë të bazës ligjore në Kosovë për këtë marrëveshje , përmes ratrifikimit në Kuvend si Marrëveshje ndërkombëtare po bëhet përpjekje që të vëhet mbi ligjet e vendit që zbatohen sot për personat e privuar nga liria dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Të dënuarit që do të transferohen nga Danimarka në Burgun e Gjilanit janë nga vendet e treta dhe po të ishin me shkallë të rrezikshmërisë më të ulët as që do të transferoheshin në Kosovë. Apo , po të ishin të tillë nuk do të dërgoheshin në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan por në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë ku ka kushte më të mira dhe hapësirë më të madhe.

Shteti i Danimarkës ka problem të menaxhojë me këta të burgosur prandaj “ po i merr me qira 300 qeli në Kosovës “ dhe kjo po bëhet sikur të aranzhohet një pako për pushime turistike, në bazë të fuqisë së shtetit përcaktohet edhe statusi dhe trajtimi i të dënuarve, këta të Danimarkës do ta bëjnë pikën e sefasë kurse këta të Kosovës do të rropaten në përpjekje për të fituar një të drejtë qoftë edhe elementare.

Tash, të dënuarit e ardhur nga Danimarka do të kenë ushqim më cilësorë, shërbime shëndetësore më të mira, vizita më të gjata dhe shumë më tepër beneficione sikur që do të përfitojnë shumë më lehtë dhe më shpejtë beneficionet, lirimin me kusht apo ndërprerje të dënimit. Po krijohet një situatë sikur në raportet e Kinës me Hongkongun , një shtet , dy sisteme.

Nëse jetësohet kjo Marrëveshje , atëherë nga numri i përgjithshëm i të dënuarve në Kosovë , 20-25 % do të jenë nga Danimarka e që është ngarkesë tepër e madhe për SHKK –s , i cili , në fund të fundit do ta pësojë më së shumti dhe do të përballet me më së shumti probleme për faktin se qeveritë ndryshojnë dikur edhe ministrat kurse Marrëveshjet ndërkombëtare mbesin dhe duhet të zbatohen.

Nga aspekti i të drejtave të njeriut , trajtimit të barabartë dhe jodiskriminues të personave të privuar nga liria , kjo marrëveshje i shkelë të gjitha arritjet e SHKK-ës dhe organizatave që e monitorojnë këtë shërbim e që kanë qenë pjesë e ecjes shumë të suksesshme të këtij shërbimi që përkundër ndërhyrjeve të vazhdueshme politike , të të gjitha qeverive , ka arritur të mbijetojë dhe të forcohet.

Qendrat e Paraburgimit dhe Qendrat Korrektuese në Kosovë janë hallkë shumë e rëndësishme e zinxhirit të sigurisë nnë Kosovë dhe mekanizëm i patjetërsueshëm i sovranitetit shtetëror.

Prandaj t’ua dorëzosh këtë sovranitet në afatin 10 vjeçar një shteti tjetër për 210 milionë euro është kontribut i madh i shkeljes së këtij sovraniteti aq më parë që me një organizim dhe planifikim më të madh të ringjalljes së resurseve që i ka SHKK –ë , pa asnjë problem do të arrihej dhe madje do të tejkalohej kjo shumë që për ata që nuk e njohin natyrën e punës së SHKK –së  iu bjenë në kokë ( hej 210 milionë !!! janë në pyetje ) kurse për ata që e njohin mirë punën e SHKK –së është shumë e qartë se kjo do ta ndajë apo fragmentarizojë SHKK –në duke e dëmtuar strategjikisht. Është joserioze të mendosh se Shërbimi Korrektues i Danimarkës nuk ka kapacitete akomoduese për të dënuarit aq më parë që kanë mundur të bëjnë një marrëveshje të tillë me Holandën që ka shumë hapësira të pashfrytëzuara .

Shërbimi Korrektues i Kosovës aktualisht shfrytëzon afërsisht 50 % të kapaciteteve akomoduese prandaj ka qenë rekomandim i KMDLNj –së që , për t’u administruar më lehtë dhe më lirë mirëmbajtja , ato të lëshohen me qira partnerëve të interesuar në Kosovë për zhvillim të bizneseve apo aktiviteteve tjera por në asnjë mënyrë nuk pajtohet me këtë Marrëveshje që sjellë në Kosovë 300 të dënuar problematikë që nuk ka pasur mundësi të menaxhohen në Danimarkë . Në institucionet korrektuese që janë nën përgjegjësi të SHKK –së ka shtetas të huaj e që numri nuk është i madh por që shkaktojnë telashe , si për stafin korrektues , ashtu edhe për monitoruesit . Kosova nuk ka nevojë për të burgosur nga shtetet tjera , që as nuk janë shtetas të Kosovës , as nuk kanë kryer vepra në Kosovë e as që janë dënuar nga Gjykatat e Kosovës.

Kosova ka nevojë të nënshkruaj Marrëveshje të cilat mundësojnë transferimin e të burgosurve , shtetas të Kosovës që janë në vuajtje të dënimit në shtetet tjera e sidomos ata që janë në Shqipëri , Maqedoni të Veriut , Serbi , Mal të Zi dhe shteteve tjera dhe anasjelltas .

Është joserioz pohimi se Kosova qenka përzgjedhur  si vend që i plotëson kushtet , të sigurisë dhe të trajtimit për të dënuarit nga Danimarka kurse , në të njëjtën kohë Dhomat e Specializuara në mënyrën më të paskrupullt , më të pandershme dhe më të pamoralshme e përqeshin garancat që i ka dhënë Policia e Kosovës për të siguruar kushtet e arrestit shtëpiak apo burgjet e Kosovës për të arrestuarit që mbahen si pengje në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Prandaj Kosova , si viktimë e pëprhershme e zbatimit të standardeve të dyfishta nga ndërkombëtarët , nuk duhet në asnjë mënyrë të lejojë zbatimin e standardeve të dyfishta në trajtimin dhe zbatimin e standardeve të të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria në Kosovë! Dhe krejt në fund , KMDLNj –ë pyet se çka do të bëhet me të dënuarit e Danimarkës pasi ata ta përfundojnë dënimin në Kosovë ?! A do të integrohen në Kosovë , a do të kthehen në Danimarkë apo do të kthehen në vendet e origjinës ?!

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi për marrëveshjen e MD-së në Kosovë dhe asaj në Danimarkë për qiranë e 300 qelive.

Pranimi i 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë, sqarimi i ministrit danez të Drejtësisë