Qeveria miraton Projekt-rregulloren për zëvendësimin apo mungesën e përkohshme nga puna e nëpunësit Civil

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projekt-rregulloren për Zëvendësimin apo Mungesën e Përkohshme nga Puna e Nëpunësit Civil.

Kryeministri, Albin Kurti tha se kjo Projekt-rregullore ka për synim të përcaktojë saktë sistemin dhe procedurat për plotësim të pozitës në rast të nevojës së zëvendësimit apo mungesës së përkohshme nga puna të një nënpunësi civil.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se deri tani mungesa e përcaktimit të kësaj procedure ka pamundësuar zëvendësimin përmes mënyrës së paraparë me ligj që me raste ka rezultuar me mosplotësimin e përkohshëm të pozitave.

“Në zbatim të ligjit për zyrtarët publik, MPB propozon miratimin e rregullores, e cila synon që të përcaktoj saktë sistemin, rregullat dhe procedurat në raste kur është i nevojshëm zëvendësimi në rast të mungesës së përkohshme nga puna. Deri tani mungesa e përcaktimit të kësaj procedure ka pamundësuar zëvendësimin përmes mënyrës së paraparë me ligj që me raste ka rezultuar me mosplotësimin e përkohshëm të pozitave në institucione publike”- ka thënë Sveçla.

Sveçla tha se duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj rregulloreje në menaxhimin e personelit në aspektin institucional, ka ftuar kabinetin qeveritar që të votojë pro kësaj pike.