Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

Qeveria miraton ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se ndryshimi i Ligjit për KPK-në është i nevojshëm që të reformohet sistemi prokurorial dhe të jetë i drejtë dhe efikas.

Ajo bëri të ditur se ndryshimi parasheh përbërjen e anëtarëve të Këshillit Prokurorial.

“Ndryshimi më përmbajtjesor që parasheh ky projektligj, është ndryshimi përbërjes së KPK-së nga 13 anëtarë e që janë 10 prokurorë aktualisht është diçka që është e paraparë në vendet e rajonit dhe BE duke krijuar për korporatozim të sistemit. Ne kemi shndërruar atë në 7 anëtarë, ku 3 do të jenë prokurorë përfshirë edhe kryeprokurori dhe 3 të tjerë anëtarë laik dhe dy do të zgjidhen nga Kuvendi dhe një nga Avokati i Popullit”, tha Haxhiu.

Ministrja shtoi se më këtë projektligj parashihet që fuqizohen edhe kriteret për anëtarë të KPK-së.

“Anëtarët do të shërbejnë në kohë të plotë duke pezulluar detyrat që kanë pasur para marrjes së detyrave si anëtarë. Ndryshimet e paraparë në këtë projektligj janë më standardet evropiane dhe në linjë me opinionet e Venecias dhe kemi dy opinione të Venecias më këtë draft ligj”, tha më tej Haxhiu.

Kushtetuta e Kosovës parasheh përgjegjësitë e Këshillit Prokurorial të Kosovës, në bazë të Nenit 110, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është një institucion i pavarur dhe shërben si organ mbikëqyrës i Sistemit Prokurorial në Republikën e Kosovës.