Foto nga një mbledhje e kaluar e Qeverisë - Foto: ZKM

Qeveria me draft-strategji të re për sigurinë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka prezantuar para kabinetit qeveritar draft Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022 – 2027.

Kurti tha se kjo draft strategji është e dyta me radhë që nga shpallja e pavarësisë së vendit tonë.

“Kjo është strategjia ombrellë e sektorit të sigurisë e cila i njeh rreziqet kërcënimet dhe sfidat për sigurinë e Republikës sonë dhe paraqet mundësit dhe vizionin për të ardhmen tonë”, tha Kurti.

Sipas Kurtit kjo strategji është hartuar në bashkëpunim dhe konsultim të ngushtë me të gjitha institucionet shtetërore e në veçanti me atë të fushës së sigurisë.

“Ai i është nënshtruar procesit të konsultimit të brendshëm dhe të jashtëm përfshirë me përfaqësitë e shteteve të QUINT-it, shtetet e tjera mike dhe është konsultuar edhe me akademinë”, tha Kurti.

I pari i Qeverisëm tha se strategjia paraqet objektiva të ndërlidhura me interesa shtetërore siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore dhe zhvillimi shoqëror si dhe integrimi në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat ndërkombëtare.

“Synimi strategjik i Kosovës është anët5arësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës por edhe të rajonit. Në këtë drejtim Kosova do të aplikoj në programin e partneritetit për paqe dhe anëtarësimi në kartën e Adriatikut si dhe mekanizma të tjerë rajonal të sigurisë”, tha ai.

Sipas Kurtit Kosova do të aplikoj për statusin kandidat dhe do të zbatoj reformat e nevojshme për të lehtësuar procesin e integrimit në BE.

“Pas miratimit të strategjisë edhe nga Kuvendi i Kosovës sekretariati i Këshillit të Sigurisë do të ngarkohet me zhvillimin e planit të veprimit dhe sistemit të monitorimit dhe vlerësimit për zbatimin e saj”, ka shtuar Kurti.

Draft Strategjia e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022 – 2027 është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.