Foto:Facebook/MPJD

Qeveria e Kosovës jep detaje për 13 marrëveshjet e nënshkruara me Qeverinë e Shqipërisë

Qeveria e Kosovës ka treguar detaje lidhur me 13 marrëveshjet, memorandumet e bashkëpunimit dhe deklaratën, të nënshkruara sot me Qeverinë e Shqipërisë.

Këto marrëveshje u përkasin fushave të ndryshme si siguria, drejtësia, bujqësia, kultura e arsimi.

Ministrat e Brendshëm të dy vendeve kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët të qëllimit duke u zotuar bashkërisht për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Ky bashkëpunim, siç tregon Qeveria, fokusohet në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar dhe avancimin e shkëmbimit të informacioneve përmes sistemeve të menaxhimit të kufirit, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe avancimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e krimit.

“Një tjetër marrëveshje, në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit, përvojave dhe teknologjisë, është ajo e bashkëpunimit në fushën e inspektimeve, ku parashikohet edhe dhurimi nga ana e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Kosovës, i portalit e-inspection” – thuhet në komunikatë.

Në fushën e bujqësisë është lidhur marrëveshje për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve të origjinës joshtazore, për të promovuar tregtinë dhe lehtësuar procedurat kontrolluese.

Përveç këtyre është nënshkruar edhe një marrëveshje tjetër për njohjen reciproke të profesioneve të avokatit dhe të ndërmjetësit.

Këto marrëveshje ishin planifikuar që të nënshkruheshin në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e planifikuar që të mbahej më 14 qershor në Gjakovë, por ajo u anulua njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se mirëpret mbledhjet e ardhshme të përbashkëta, të cilat sipas saj duhet të mbahen për diskutime të frytshme e dhënie hov të punëve të mira dhe bashkëpunimit.

Gjatë dy viteve të fundit, janë mbajtur dy mbledhje të qeverive në të cilat janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore e ndërinstitucionale.