Qeveria e Shqipërisë nënshkruan 13 marrëveshje dhe ia dërgon Kosovës

Qeveria e Shqipërisë ka nënshkruar 13 marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat ishin paraparë të firmoseshin në mbledhjen e dy qeverive më 14 qershor të këtij viti.

Kryeministri shqiptar përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se në mëngjes ka dorëzuar marrëveshjet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

“Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi”- ka shkruar Rama.

Rama u shpreh se “pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga Kurti”, pret konfirmim me kreun e ekzekutivit kosovar sot pasdite.

“Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”- ka deklaruar Rama.

Kryeministri shqiptar sot ka nisur një tur ballkanik i cili ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor. Ai ka konfirmuar se do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media të mërkurën ka ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kjo pasi që mbledhja e planifikuar më 14 qershor në qytetin e Gjakovës ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje” – ka thënë Kurti.

Kurti shtoi se për këtë mbledhje u patën bërë të gjitha përgatitjet dhe se 13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen, e të cilat marrëveshje tashmë kanë ngelur në sirtar.

“Në mënyrë që këto marrëveshje të dakorduara të mos ngelen edhe më tutje në sirtarë, sepse nga to nuk përfitojnë kryeministrat përfitojnë qytetarët dhe çdo ditë e humbur pa i nënshkruar këto marrëveshje është dëm për qytetarët” – tha ai.

Ndër të tjera ai tha se i ka propozuar Ramës që meqë po vjen në këtë javë të mbajnë edhe një mbledhje të përbashkët të dy qeverive t’i nënshkruajnë marrëveshjet e planifikuara.

Më 13 qershor, Rama kishte thënë se kishte kërkuar nga kryeministri i Kosovës një takim, por në një format më të ngushtë duke përfshirë ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes.

“E kam njoftuar Kryeministrin Kurti. Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar, pasi kam folur me Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për tu takuar nesër në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes për të diskutuar lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me Bashkësinë Euroatlantike”- tha ai.

Kryeministri Rama deklaroi se nuk ka pasur një pajtim nga Kurti për ndryshimin e formatit të takimit.

Ai tha se shpreson që kjo të mos jetë përgjigja përfundimtare e kryeministrit Kurti.

Më 7 mars, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz kanë konfirmuar se në kuadër të Procesit të Berlinit, takimi i radhës do të mbahet më 16 tetor të këtij viti.

Kancelari Scholz në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama tha që për herë të parë punimet e këtij Samiti do të mbahen në një kryeqytet të Ballkanit Perëndimor.