Qeveria aprovon projektin e ndërtimit të Qendrës Emergjente në QKUK

Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës e ka miratuar ndërtimin e Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ndërtimi i kësaj qendre është i rëndësishëm për pranimin e shërbimeve emergjente shëndetësore nga qytetarët e Kosovës.

Ministri Vitia ka deklaruar po ashtu se përfundimi i ndërtimit të kësaj qendre do të ndodhë në vitin 2026.

“Qendra Emergjente, një projekt ky i bllokuar gati për një dekadë, tanimë është zhbllokuar dhe falë punës intensive që është bërë nga Ministria e Shëndetësisë me profesionistët shëndetësor, tanimë është bërë edhe plani i veprimit me të cilin kjo qendër pritet të përfundojë më së largu në gjysmën e parë të vitit 2026”- ka deklaruar ministri Vitia.

Sipas tij, kjo qendër do të jetë një nga qendrat më të mira në rajon, ku pacientët do të marrin shërbime të shpejta dhe cilësore shëndetësore. 

“Në mënyrë që të jemi brenda kornizës kohore të këtij plani Ministria e Shëndetësisë kërkon lejimin e inicimit të procedurave të prokurimit për projektin me numër 14123 – ndërtimi i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe zotimin që mjetet shtesë në vlerë prej 6 milionë e 362 mijë eurove do të sigurohen bazuar në planin e veprimit në përputhje me hapësirat fiskale dhe ligjore”- ka kërkuar ministri Vitia në mbledhjen e Qeverisë, e cila e ka aprovuar më pas kërkesën e tij.