Foto: Facebook / Qendra e Studentëve - Prishtinë

Qendrës së Studentëve i shtohen edhe mbi 60 të karantinuar

Në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, që është shndërruar së fundmi në karantinë për shkak të shpërthimit të coronavirusit, do të vendosen edhe 66 qytetarë.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë, e ka konfirmuar Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tij shtetasit kosovarë pritet të arrijnë nga Kroacia në Kosovë në orët e mbrëmjes.

“Janë 66 kosovarë, të cilët janë duke ardhur nga Kroacia. Ata pritet të mbërrijnë rreth orës 19:00”, ka thënë Hoti përmes telefonit.

Në Qendrën e Studentëve, aktualisht janë të vendosur rreth 400 qytetarë. Ata janë vendosur në ambiente të konvikteve pasi kanë arritur nga vendet tjera në Kosovë.

Në gjithë Kosovën është raportuar për 250 persona të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton coronavirusi, 52 janë shëruar derisa 7 të tjerë kanë vdekur. /REL