Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PZAP dënon me 600 euro Iniciativën Qytetare të Xhafer Gashit (DOKUMENT)

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 600 euro gjobë Iniciativën Qytetare për Obiliqin të Xhafer Gashit.

Sipas vendimit, gjoba është shqiptuar për shkak të thyerjes së heshtjes zgjedhore dhe ankesën në PZAP e ka deponuar Lëvizja Vetëvendosje.

“Në ankesën e pretenduar nga Vetëvendosje pretendohet se kandidati për Kuvend Komunal të Obiliqit, Abdyrrahman Krasniqi dhe Alba Mirena përkrahëse e këtij subjekti, kanë thyer heshtjen zgjedhore duke bërë postime në llogaritë e tyre në Facebook, me përmbajtje elektroale”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Sipas PZAP-së, subjekti politik Iniciativa Qytetare për Obiliqin, i ka kundërshtuar pretendimet e ankuesit duke thënë se nuk ka pasur shkelje apo tentim për të thyer heshtjen zgjedhore.

Ndërsa në fund, PZAP-ja e ka cilësuar si të bazuar ankesën e Vetëvendosjes në Obiliq,

“Paneli gjeti se ankesat janë të bazuara, për faktin se në llogaritë e Facebookut, ashti siç pretendon paraqitësi i ankesës, në ditën e votimit postimet janë aktive, të cilat promovojnë subjektin politik Iniciativa Qytetare për Obiliqin, kandidatin për kryetar të komunës dhe kandidatët për Kuvend Komunal, nga radhët e këtij subjekti politik, ku me këtë veprim kanë bërë thyerjen e heshtjes zgjedhore”, thuhet ndër të tjera në vendimin e PZAP-së.

Kundër vendimit të PZAP-së, Iniciativa Qytetare për Obiliqin ka të drejtë ankese në Gjykatën Supreme, brenda 24 orëve nga momenti i pranimit të këtij vendimi.

Këtu mund ta gjeni vendimin e plotë.