Protesta e punëtorëve të KEK, Foto: KALLXO.com

Punëtorët e KEK-ut protestojnë për rritje të pagave, paralajmërojnë grevë nëse nuk realizohen kërkesat

“Me rrenca nuk ka KEK” – kjo ishte njëra nga parullat e protestës së Sindikatës së Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), e cila është mbajtur para objektit të menaxhmentit të KEK-ut në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Kërkesa e tyre kryesore ishte rritja e pagave.

“Më 16 mars e kemi pas protestën, pas asaj proteste për rritje të pagave jemi premtu që në fund të marsit, përkatësisht në fillim të prillit do të ketë ngritje të pagave, na kanë rrejt”- tha Nexhat Llumnica, kryetari i sindikatës.

Siç tha ai, më 6 nëntor të këtij viti ishte mbajtur takimi me kryesuesin e bordit dhe menaxhmentin e KEK-ut, duke i’u premtuar se deri më 20 dhjetor do të aprovohet skema organizative dhe do të rriten pagat, e që sipas Llumnicës kjo gjë nuk ndodhi.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Atdhe Hykolli, shtoi se përveç pagave, ata kërkojnë edhe përmirësimin e kushteve të punës.

“Përtej pagave të drejta që neve na takojnë, theksojmë edhe një gjë, përmirësimin e kushteve të punës. Siguria, shëndeti, mjedisi këto janë shumë të rëndësishme por për neve nuk janë luks, por janë të drejta themelore, për çdo punëtor që e meriton” – tha Hykolli.

E nënkryetari i Sindikatës, Selatin Sadiku, thotë se realizimi i prodhimit edhe këtë vit ishte 100%, prandaj sipas tij punëtorët e KEK-ut meritojnë rritje të pagave dhe kushte më të mira të punës.

“Nga viti 2018, që 6 vjet KEK-u nuk i ka ngrit pagat…Vitin që shkoi 170 milionë euro KEK-u është në profit, profiti vazhdon edhe këtë vit”- shtoi Sadiku.

Ndërkaq, në protestë u paralajmërua po ashtu se në rast të mosrealizimit të këtyre kërkesave të sindikatës, do të ketë ndërprerje të punës dhe grevë.

“Të mërkurën e kanë afatin e fundit, të mërkurën do të jemi prapë këtu në shesh, por ta dini që nëse nuk ka rritje të pagave për festën e Vitit të Ri ne do të hyjmë në grevë, nuk ka rrugë tjetër”- theksoi Xhelal Jashari, kryetar i divizionit të prodhimit të qymyrit.