Punësimi i bazuar në vetëpërkrahje - LIVE

Në emisionin “KALLXO Përnime” po transmetohet dokumentari “Punësimi i bazuar në vetëpërkrahje”, i cili i kushtohet punësimit të personave me aftësi të kufizuar në Kosovë.

Qasja në punësim është njëra nga sfidat kryesore të jetesës së personave me aftësi të kufizuar.

Në një zonë gjeografike, ku statistikat tregojnë që punësimi i personave me aftësi të kufizuar ka probleme të thella, Qendra Kosovare për Vetë-Përkrahje nisi të zhvillojë idenë e një projekti që synonte të ndërtonte një model të krijimit të qasjes në punësim për personat me aftësi të kufizuara.

Grupi që do implementonte projektin kishte përfshirë anëtarët e “Handikos”-it, komunat e po ashtu biznese të komunave të përfshira.

Procesi i gjatë synonte që fillimisht të largohej stigma e më pas personat me aftësi të kufizuar të zhvillonin kapacitetet e tyre profesionale për të qenë pjesë e tregut të punës.

“Kosova përballet me sfida sa i përket punësimit të personave me aftësi të kufizuara, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka mbështetur këtë projekt me qëllim të krijimit të një modeli të qëndrueshëm për punësimin e personave me aftësi të kufizuara” – thekson Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.