
Foto: KALLXO.com
Mbahet seanca ndaj Albina Nurës, akuzohet se e dëmtoi buxhetin e BE-së për 500 mijë euro
Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Albina Nurës, ish-zyrtare e Zyrës së BE-së në Kosovë, e akuzuar për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.
Në këtë seancë u propozuan dëshmitarë nga ana e palës mbrojtëse të të pandehurës Nura.
Prokuroria në parashtresën e saj dërguar Gjykatës më 24.10.2022 kishte propozuar që të dëgjohet si dëshmitar përfaqësuesi i BE-së, Michail Papagiannis.
Lidhur me këtë, prokurori Naim Abazi deklaroi se ky ishte një gabim teknik, dhe me këtë fakt nuk u pajtua avokati mbrojtës i të pandehurës, Kujtim Kërveshi, i cili kërkoi të propozohet si dëshmitar Papagiannis.
Lidhur me këtë propozim, Leutrim Syla, avokat i palës së dëmtuar, u shpreh se Papagiannis nuk i kontribuon zbardhjes së rastit ngase, sipas tij, ai as nuk ka qenë në Kosovë gjatë periudhës që ka qenë objekt i çështjes.
Këtë propozim të mbrojtjes, Gjykata e refuzoi me aktvendim, duke e konsideruar si person jorelevant lidhur me çështjen që është objekt i akuzës.
Tutje, avokati Kërveshi propozoi dëgjimin e 4 dëshmitarëve, 2 nga ta vazhdojnë të jenë zyrtarë të BE-së në Kosovë.
“Për ta do të merret aktvendim më vonë posa të zgjidhet çështja e imunitetit për të deklaruar” – u shpreh kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili.
Demush Shasha, ish-sekretar i Ministrisë së Integrimeve dhe Qemajl Murmullakaj, ish-drejtor për Planifikim Strategjik, janë dy dëshmitarët e tjerë të propozuar nga mbrojtja e të pandehurës.
Kontaktet e tyre iu dhanë në mënyrë jopublike trupit gjykues nga avokati Kërveshi.
Prokurori special kundërshtoi këtë propozim me arsyetimin se mbrojtësi Kërveshi nuk dha argumente mbi rëndësinë e këtyre dëshmitarëve dhe se mbrojtja po mundohet të zvarrisë procedurën deri në parashkrimin e lëndës.
Zvarritjen e procedurës, prokurori special tha se Kërveshi po e bën me tendencë edhe me propozimin e tij për përkthimin e dokumenteve dhe dosjeve në gjuhën shqipe.
Trupi gjykues miratoi propozimin e avokatit Kërveshi mbi dëgjimin e Shashës dhe Murmullakajt në seancën e radhës, e cila do të mbahet më 12 maj.
Prokuroria Speciale në maj të vitit 2021 ngriti aktakuzë kundër Albina Nurës, të cilën e akuzon se i ka tejkaluar kompetencat e veta si zyrtare vendore për reforma të administratës publike në Zyrën e BE-së “EUOK” në Kosovë dhe i ka shkaktuar buxhetit të BE-së dëm material prej 500 mijë euro.
Prokuroria akuzon Nurën se këtë dëm e ka shkaktuar me qëllim të përfitimit material për vete gjatë implementimit të tenderit – Mbështetje për politikat dhe planifikimin strategjik të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, Nura për tenderin në fjalë ka përgatitur në mënyrë të kundërligjshme dokumentacion për të rritur vlerën e tenderit për 500 mijë euro, duke e çuar vlerën e tenderit nga afro 2 milionë euro në afro 2 milionë e 500 mijë.
Aktakuza thotë se e akuzuara Nura prej vitit 2013 deri më 2017 ka angazhuar punonjës në cilësinë e ekspertëve jokyçë, në kundërshtim me kushtet e kontratës.
Prokuroria pretendon se e akuzuara në cilësinë e menaxheres së njërit nga projektet e Zyrës së BE-së në Kosovë, gjatë procesit të vlerësimit të projektit si anëtare e komisionit, ka vlerësuar me pikë të larta ofertën e njërit nga bizneset me pronar Rron Dalladakun.
E akuzuara ia kishte vazhduar atij angazhimin si ekspert junior edhe për 205 ditë shtesë, duke i mundësuar përfitim të 76 mijë e 950 eurove.
E Prokuroria pretendon se përkundër faktit se e akuzuara ishte në dijeni se biznesi i Rron Dalladakut ishte anëtar në konzorciumin e projektit që ajo e vlerësoi dhe e menaxhoi, nuk e deklaroi këtë si konflikt të interesit te menaxhmenti i lartë ashtu siç kërkohej e as faktin se e njëjta në disa kompani që kanë fituar projekte në vlera me mijëra euro ishte aksionare dhe Prokuroria me këto veprime e akuzon Nurën se ka kryer veprën – konflikt i interesit.