BIRN dhe Zyra e BE-së në Kosovë shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Verifikuesve të Fakteve.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog e përmes një video-lidhje edhe Lutz Guellner, udhëheqës i Komunikimeve Strategjike, Task Forcave dhe Analizës së Informacioneve.

Në fjalën hyrëse të kësaj ngjarjeje, e cila përkon edhe me 18-vjetorin e themelimit të BIRN-it, Jeta Xharra bashkëthemeluese e BIRN-it në rajon dhe drejtoreshë e organizatës në Kosovë, tha se e vërteta nuk do të duhej të ishte koncept i diskriminuar apo i shtypur për të pasur një ditë të posaçme sepse, sipas saj, e vërteta do të duhej të ishte pjesë e përditshme e jetës tonë.

“Ajo çfarë po shohim është që rrena shumë shpesh është duke e marrë dheun sa paraqitet nevoja që komuniteti jonë me e shënu këtë ditë” – tha Xharra.

Pas saj, redaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, tregoi për një hulumtim që është duke u realizuar për dezinformimin, e që po bëhet në gjithë Ballkanin Perëndimor, e tash edhe në Kosovë.

Gashi, si bashkautor i këtij studimi, i prezantoi të dhënat fillestare të këtij hulumtimi, të dhëna që tregojnë se target kanë qenë mbi 100 burime të informacionit që fillimisht janë monitoruar nëpërmjet algoritmeve kompjuterike.

“Gjatë rrugës e kemi parë që prodhuesit e lajmeve të rrejshme kanë nisur të mashtrojnë edhe kompjuterin. Për këtë arsye hulumutuesit tanë janë ulur për disa muaj rresht dhe manualisht kanë kontrolluar të gjithë kontentin e prodhuar nga këto faqe që i kemi identifikuar” – ka thënë ai.

Gashi shtoi se brenda këtyre gjashtë muajve është arritur të mblidhet një numër shumë i madh i informacioneve të rrejshme të cilat janë analizuar, e se ajo që është arritur të shihet është se deri më tani janë konstatuar 315 publikime të rrejshme.

Në mesin e këtyre informacioneve të rrejshme, Gashi tregoi se ka prej atyre që lidhen me marrëdhëniet ndëretnike e të sigurisë kombëtare, me procesin e dialogut, me procesin e integrimeve evropiane e informacione të tjera të rrejshme.

Gjatë konferencës u tregua se raporti i plotë i këtij hulumtimi do të jetë i qasshëm në fund të majit 2023.

Hulumtimi është financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, për çka ambasadori Tomas Szunyog tha se do vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në këtë aspekt.

“Është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë neve që të luftojmë dezinformimin dhe të kërkojmë strategji e partneritete të reja për të provuar gazetarinë profesionale dhe edukimin medial si dhe të sigurojmë qasje në informacione të verifikuara, në transparencë dhe llogaridhënie. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të përkrahë Kosovën në këtë aspekt”, tha ambasadori Szunyog.

Kryeministri Kurti tha se vërtetësia dhe besueshmëria shkojnë bashkë si vlera por edhe praktikisht e konkretisht tërë kohën dhe kudo.

“Sa herë që flitet për të drejtën për të raportuar lirshëm, më vjen mirë të pohoj se jam në krye të një Qeverie të një shteti ku liria e mediave është shembull për vendet e rajonit dhe më gjerë, siç pohohet edhe në raportet ndërkombëtare” – tha Kurti.

Ai tutje shtoi se prodhimi dhe shpërndarja e lajmeve të rreme, veçanërisht në kohëra të jashtëzakonshme siç janë këto tre vitet e fundit pas shpërthimit të pandemisë dhe pas invadimit të Ukrainës nga trupat ruse, janë sfida edhe për siguritë nacionale të shteteve dhe për ambientin ndërkombëtar të sigurisë.

Me nga një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe Szunyog e Guellner.

Më pas pati një diskutim nga paneli i përbërë nga akterët e sektorit të mediave: Xhemajl Rexha, kryetar i bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Jeton Mehmeti nga Komisioni i Pavarur për Media, Brikenda Rexhepi, kryeredaktore në Koha Group, Faik Ispahiu, drejtor ekzekutiv i Internews Kosova dhe Budimir Niçiq nga  Qendra Mediale në Çagllavicë.

Kujtojmë që Kosova prej kohësh e ka vendosur veten si pjesë e komunitetit që synon të kuptojë manipulimin dhe ndërhyrjen në informacion dhe është duke punuar për të minimizuar ndikimin e tyre në Kosovë.

Në këto përpjekje, Zyra e BE-së në Kosovë dhe BIRN Kosova aktualisht janë duke punuar në një studim për dezinfomimin në Kosovë.

BIRN është anëtar i Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve që nga viti 2017. Përpjekjet e BIRN-it për verifikimin e fakteve dhe ekspozimin e dezinformatave kanë ndihmuar që të fitojë besim të jashtëzakonshëm në publik dhe të fitojë dhjetëra çmime prestigjioze.

Ndërkohë ka një përpjekje të vazhdueshme për t’i kuptuar më mirë dhe për t’iu kundërvënë ndikimeve të ndryshme keqdashëse.