Takimi me kryetarët e komunave të veriut, deklarohet Zyra e BE-së në Kosovë

Paraditen e së hënës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe ambasadori i BE-së në vend, Tomas Szunyog, ftuan në një takim kryetarët e katër komunave të veriut të vendit.

Në këtë takim që u zhvillua në zyrat e BE-së në Prishtinë morën pjesë dy kryetarë që vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës, Izmir Zeqiri, kryetar i zgjedhur i Zubin Potokut dhe Ilir Peci, kryetar i zgjedhur i Zveçanit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra e BE-së në Kosovë tha se kërkoi nga kryetarët që mos bëjnë veprime që nxisin situatën.

“Z. Ilir Peci dhe z. Izmir Zeqiri iu përgjigjën pozitivisht ftesës për takimin që u zhvillua në ambientet e Zyrës së BE-së. Të pranishmit diskutuan për situatën në veri të Kosovës. Ambasadorët Szunyog dhe Hovenier u bën thirrje dy kryetarëve të bashkive të tregojnë përmbajtje dhe të mos përdorin asnjë veprim që mund të shkaktojë incidente të mëtejshme dhe përshkallëzim të mundshëm” – thuhet në një përgjigje të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Që nga orët e para të mëngjesit, serb lokal në veriun e vendit kanë nis protestë kundër vendosjes së kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pranë objekteve komunale, përveç njësiteve nga Policia e Kosovës, të hënën janë parë edhe ushtarë të Misionit të NATO-së në Kosovë, KFOR.

Të gjitha lajmet dhe zhvillimet e fundit në veriun e vendit mund t’i lexoni duke klikuar KËTU.

Situata në veri – Pamje