Nga video e momentit të deportimit të shtetasve turq në Aeroportin e Prishtinës, Foto: KALLXO.com

Publikohet video e momentit të deportimit të shtetasve turq në Aeroportin e Prishtinës - VIDEO

Në Gjykatën e Prishtinës, në seancën për rastin “Gylenistët”, u lëshuan videot e siguruara nga Prokuroria, e momenteve kur është bërë sjellja dhe deportimi i shtetasve turq në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, më 2018.

Në këtë rast për depërtimin e shtetasve turq prokuroria po i ngarkon ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, drejtorin e Departamentit të Shtetësisë dhe Azilit, Valon Krasniqi, dhe drejtorin e Migracionit, Rrahman Syljemani.

“Në të gjitha video-incizimet shihet deportimi i të dëmtuarëve, me duar të prangosura, pa prezencën e përkthyesve e pa prezencën e mbrojtësve të tyre” – tha prokurorja Habibe Salihi gjatë administrimit të video-incizimeve.

Për këto prova patën kundërshtime mbrojtësit e të akuzuarve, e gjithashtu kërkuan nga trupi gjykues mbylljen e seancën për publikun.

Avokati Florent Latifaj, që mbron të akuzuarin Driton Gashi, kërkoi që seanca të mbyllet me qëllim të diskutimit të provave që kanë pranuar në e-mail nga gjykata.

Ato prova, kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani, njofton se i ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës dhe të njëjtat i ka ndarë me mbrojtësit, mirëpo sipas mbrojtësve ato prova janë të kualifikuara nga AKI-ja dhe nuk duhet të administrohen publikisht.

Në këtë mënyrë, trupi gjykues, konstatoi se është e nevojshme që të vlerësojnë edhe njëherë provat dhe në këtë mënyrë seanca e sotme nuk vazhdoi më tutje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetasit turq në vitin 2018.

Sipas aktakuzës, në mëngjesin e 29 marsit të 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë, operacioni i AKI-së sipas ekspertit amerikan, kishte “pushtuar” zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.
Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së, të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.