Gjykata vendos lidhur me propozimin e palëve për administrim të provave në rastin e ‘Gylenistëve’

Gjykimi ndaj Driton Gashit, Valon Krasniqit dhe Rrahman Sylejmanit, të akuzuar në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq në vitin 2018, ka vazhduar me shyqrtimin e kërkesës së të akuzuarve për administrimin e provave.

Propozim për administrim të provave pati si nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Urim Vokshi, ashtu edhe nga mbrojtësi i të akuzuarit Rrahman Sylejmani, Flakron Sylejmani.

Gjykata me aktvendim aprovoi propozimin e Vokshit që si prova të administrohen dosjet materiale të pranuar nga aeroportit ‘Adem Jashari’, dosja e materialit të pranuar nga Avokati i Popullit, dosja e materialit të pranuar nga Polica e Kosovës, drejtori për migrim dhe të huaj, të shikohet cd-ja, dosja e materialit të pranuar nga MPB, u aprovuan raporti i Avokatit të Popullit si  dhe si provë do të administrohet rasti Latfi vs Maqedonia, etj.

Ndërsa u refuzuan propozimet që si provë të administrohen dosja e materiale të pranuara nga AKI pasi që të njëjtat dosje janë të mbrojtura me ligj për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë si dhe refuzohet që në cilësi të provës materiale të administrohet shkresa e kryeministrit, etj.

Gjykata gjithashtu refuzoi që në cilësinë e dëshmitarit me u dëgjua dëshmitari i inteligjencës i propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Rrahman Sylejmani, Flakron Sylejmani.

Ndërsa janë aprovuar propozimet e mbrojtësit Sylejmani që si provë të administrohen raporti zyrtar informues lidhur me deportimin e shtetasve turq, parashtresën e datës 13.11.2019, raporti operacional, etj.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më datën 21 shkurt të këtij viti, ku pritet që të akuzuarit të japin mbrojtjen.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetasit turq në vitin 2018.

Sipas aktakuzës, në mëngjesin e 29 marsit të 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë, operacioni i AKI-së sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së, të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK