Publikohet në gazetën zyrtare të BE-së rregullorja për liberalizimin e vizave për Kosovën

gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian sot është publikuar rregullorja 2023/850 për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas nenit 2 të kësaj rregulloreje, ajo hyn në fuqi në ditën e 20-të pas publikimit në gazetë zyrtare, që i bie më 15 maj 2023.

Në pikën 4 të rregullores bëhet  ditur se nga kërkesa për vizë duhet të përjashtohen vetëm mbajtësit e pasaportave biometrike të lëshuara nga Kosova në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).

“Ky përjashtim nuk duhet të zbatohet deri në datën nga fillimi i funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i krijuar me Rregulloren (BE) 2018/1240 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit ose deri më 1 janar 2024, apo ndonjë datë tjetër që mund të publikohet më herët”- thuhet në pikën katër.

Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, ndërsa dokumenti është nënshkruar më 19 prill.

Sipas vendimit, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën