Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën

Vendimi për liberalizmin e vizave për Kosovën është nënshkruar sot nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe nga ministrja e Suedisë, Jessika Roswall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian.

Nënshkrimi është bërë sot pasi të martën Parlamenti Evropian në seancë plenare ka miratuar vendimin për liberalizmin e vizave për Kosovën, me çka edhe ka marrë fund procesi i vendimmarrjes.

Pas nënshkrimit, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi ka thënë se vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare brenda 20 ditësh.

“Sapo u kthyem nga ceremonia e nënshkrimit për liberalizmin e vizave për Kosovën që tashmë u bë vendim zyrtar dhe ky vendim do të publikohet në gazetën zyrtare brenda 20 ditësh, dhe bartësit e pasaportave të Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen më së largu më 1 janar 2024”- ka thënë ai në konferencë për media.

Ai ka thënë se Kosova ka përparuar në fushat e sundimit të ligjit, krimit të organizuar e të tjera.

“Për shumë vite procesi kishte ngelur në këshill. Nganjëherë dukej e pa mundur që të kalohej. Kosova ka përparuar në fushat e sundimit të ligjit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe menaxhimit të migrimit”- ka thënë ai.

Parlamenti Evropian ka miratuar dje në seancën plenare vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky vendim do të shënojë njëherit edhe hapin e fundit e procesit të liberalizimit të vizave, i cili ka zgjatur më shumë se 10 vite prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Sipas vendimit, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.