Foto:PSD/Facebook

PSD aksion para Qeverisë: Albin Kurti - veteran i rrejshëm i UÇK-së

Partia Socialdemokrate (PSD) sot ka mbajtuar një aksion para objektit të Qeverisë së Kosovës.

PSD përmes një pankarte e ka quajtuar kryeministrin Albin Kurti veteran të rrejshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas PSD-së, Kurti është angazhuar në UÇK në gusht të vitit 1998 dhe ka dhënë dorëheqje prej saj më 2 mars 1999.

“Kurti është angazhuar në UÇK në gusht të vitit 1998 dhe ka dhënë dorëheqje prej saj më 2 mars 1999. Siç edhe e parasheh ligji, veteranë është personi që ka qëndruar deri në fundin e luftës së UÇK-së. Ne e dijmë që lufta ka përfunduar në qershor, pra 3 muaj pasi Kurti ka dhënë dorëheqje. Po i njëjti ligj definon dhe dënimin që dikush e merr në rast falsifikimit të deklaratës së pjesëmarrjes në luftë. Ekzistojnë dëshmi materiale, me dokumente e deklarata, që tregojnë mashtrimin që Kurti ka bërë në mënyrë që të konsiderohet veteran i UÇK-së”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

Po ashtu, PSD ka kërkuar nga prokuroria hetimin e këtij rasti.

“Prokuroria duhet të filloj menjëherë hetimin e këtij rasti flagrant të falsifikimit. Nëse hetimi nuk fillon atëherë ne do të dorëzojmë kallëzim penal për këtë çështje”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftimin e kësaj partie thuhet se qëllimi i Kurtit është denigrimi i veteranit të vërtetë.

“Po të ishte me të vërtetë i angazhuar pushteti që t’i verifikoj këto lista atëherë do të dinte edhe procesin nëpërmjet të cilit do të bëhej kjo gjë. Çka në fakt na meson mungesa e procesit qëllimi i vërtetë i Kurtit që tash e ca kohë: denigrimi i veteranit të vërtetë. Edhe nëpërmjet atij të rrejshëm”, thuhet në njoftim.

Ditë më parë në një intervistë kryeministri Kurti deklaroi se nuk mund të jenë 60 mijë veteranë. Sipas tij janë rreth 20 mijë.

“Nuk ka teori të jenë mbi 20 mijë veteranë të luftës, mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë. Pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta janë edhe më shumë se 60 mijë, por veteranë nuk mund të jenë 60 mijë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, ish-kryeministri Ramush Haradinaj të hënën në Kuvendin e Kosovës ka thënë se veteranët e familjarët e të rënëve për liri nuk e meritojnë kthimin e diskutimeve se kush është veteran i vërtetë e kush jo.

“Kur ju dalim përballë të gjithë ne fëmijëve, të vejave, nënave, familjarëve e të rënëve për liri atëherë vërtetë ata meritojnë një lajm të mirë prej nesh. Po ashtu nuk e meritojnë ofendimin që bash në këtë kohë me fillu me i kthye diskutimet kush është veteran i vërtetë apo jo, ka pas edhe një proces gjyqësor, tash është koha kur duhet t’i respektojmë e t’i nderojmë ata”, ka thënë Haradinaj.