Protesta në Prishtinë kundër vrasjes së grave - Fotogaleri

“Historinë e Kosovës po e shkruani me gjak të grave”, “Vrasja e grave është politike”, “Vrasjet e grave janë vrasje të paralajmëruara”, “Një djep më pak, dy varre më shumë”, janë disa nga pankartat të cilat po e përcjellin protestën e sotme kundër vrasjes së grave në Kosovë.

Vrasja e një gruaje shtatzënë mbrëmë nga i dyshuari burri saj, ka bërë që sot Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe YIHR të mbajë një protestë në kryeqytet kundër vrasjes së grave në Kosovë.

Protesta me moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare” po mabhet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Aktualisht protestuesit kanë arritur tek objekti i Ministrisë së Drejtësisë.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për detaje dhe të dhëna të reja që po dalin nga rasti i vrasjes së 35-vjeçare shtatzënë.

E njëjta mbrëmjen e kaluar u vra në oborrin e QKUK-së ndërsa ishte duke qëndruar në Klinikën e Gjinekologjisë pasi ishte në prag të lindjes së një foshnje.

Burri i saj është personi i dyshuar për kryerjen e vrasjes ndërsa i njëjti po kërkohet nga organet e rendit dhe gjendet në arrati.