Flamuri serb
Qeveria dëshiron të integrojë plotësisht institucionet paralele serbe, por serbët po rezistojnë
Njoftimet për integrimin e institucioneve ‘paralele’ të Serbisë në fushën e arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës po priten me shqetësim nga serbët lokal.
Milena Jevtiq është studente e drejtësisë në Universitetin e Prishtinës. Jo ai në Prishtinë, por ai në Mitrovicën e Veriut, ku institucioni funksionon sipas sistemit arsimor të Serbisë.
Fakti që universiteti në Mitrovicën e Veriut mban emrin e kryeqytetit të Kosovës është rezultat i vendimit të Serbisë për të ‘zhvendosur’ shërbimet publike serbe nga zonat me shumicë shqiptare në fund të luftës në Kosovë më 1998-99, kur forcat serbe u tërhoqën dhe atëherë vendi kaloi nën administrimin e Kombeve të Bashkuara.
Derisa Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe disa institucione, si policia dhe gjykatat, që atëherë janë riintegruar, ky sistem ‘paralel’ në arsim dhe shëndetësi vazhdon në masë të madhe edhe sot, duke u drejtuar dhe financuar nga Serbia.
Tani, njoftimet nga kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij se planifikojnë integrimin, po priten me shqetësim nga serbët.
Në shtator të vitit të kaluar, në një video mesazh në gjuhën serbe para zgjedhjeve lokale, Kurti tha se qeveria e tij planifikon të përfshijë plotësisht institucionet e drejtuara nga Serbia në sistemin e Kosovës, duke thënë se “dualizmi i sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit është i paqëndrueshëm”.
“Nuk dua ta bëj këtë kundër jush apo pa ju,” theksoi ai, duke shtuar se qëllimi përfundimtar nuk është “të kufizohen të drejtat, por të forcohen ato”.
Megjithatë, shumë serbë nuk i besojnë këtyre garancive.
“Nuk ka besim në sistem dhe shumë nuk e shohin studimin në një sistem të tillë si një opsion të qëndrueshëm,” tha Jevtiq. “Një numër i konsiderueshëm studentësh kanë vendosur të mos regjistrohen për shkak të statusit të paqartë dhe pasigurisë që rrethon këtë proces.”
BE-ja kërkon ‘koordinim’ me serbët e Kosovës

Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Qeveria e Kurtit nuk ka zbuluar ende hapat konkretë për integrimin e institucioneve arsimore dhe ofruesve të shërbimeve shëndetësorë.
Megjithatë, si hap i parë, ajo ka filluar zbatimin e një ligji të miratuar fillimisht në vitin 2013, i cili kërkon që të gjithë banorët e Kosovës të kenë letërnjoftim të Kosovës ose leje qëndrimi. Ky është minimumi i nevojshëm përpara se të provohet integrimi.
Shumë serbë në Kosovë kanë vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga institucione që konsiderohen ‘paralele’ nga Kosova, ndërsa ka edhe serbë që janë zhvendosur nga Serbia për të punuar përkohësisht në këto institucione dhe posedojnë vetëm dokumente të lëshuara nga Serbia.
Më 14.03.2026, një ditë para zbatimit të plotë të ligjit, Kurti tha se serbët e Kosovës do të lejohen të ndërrojnë dokumentet e tyre të Serbisë me dokumente të rregullta të Kosovës, ndërsa serbëve nga Serbia që punojnë në shëndetësi dhe arsim do t’u jepen leje qëndrimi të përkohshme në bazë të punësimit të tyre, pavarësisht se Kosova i konsideron këto institucione të paligjshme.
Ai gjithashtu tha: “Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, në koordinim të vazhdueshëm me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun dhe në bashkëpunim me ofruesit e këtyre shërbimeve, do të nisin procedurat e nevojshme dhe do të përcaktojnë afatet për përfshirjen e plotë, përfshirë licencimin e institucioneve dhe stafit të angazhuar.”
Njoftimi i Kurtit erdhi pas një takimi me Peter Sorensen, të dërguarin e Bashkimit Europian për bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, dhe Aivo Orav, shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë.
Një zëdhënës i BE-së i tha BIRN-it se çdo hap drejt integrimit të sistemit duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe “në koordinim të ngushtë me komunitetin serb në Kosovë dhe përfaqësuesit e tyre”.
Në mars studentë dhe staf akademik serb dolën në rrugët e Mitrovicës së Veriut në protestë. Ata mbanin pankarta ku shkruhej “Sipas cilit sistem duhet të marrim frymë?” dhe “Pse hesht Beogradi?”
Integrimi i institucioneve të drejtuara nga Serbia ka qenë një burim i madh mosmarrëveshjesh për vite me radhë. Ai u trajtua për herë të parë zyrtarisht në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, e cila parashihte gjithashtu krijimin e një ‘asociacioni’ të komunave me shumicë serbe. Marrëveshja nuk është zbatuar kurrë plotësisht.
Mungesë besimi

Një profesoreshë në Mitrovicën e Veriut, e cila kërkoi të mbetet anonime, i tha BIRN-it: “Sistemi serb është njëkohësisht ndryshe dhe, sipas mendimit tim, më funksional dhe më i përshtatshëm për nevojat e komunitetit që i shërben.”
“Megjithëse integrimi është teknikisht gjithmonë i mundur, është një temë shumë komplekse dhe e ndjeshme. Nuk e konsideroj një opsion të mirë dhe jam e sigurt se të gjithë serbët në Mitrovicë ndajnë të njëjtin mendim.”
Sipas saj, integrimi nuk është thjesht një çështje administrative, por “çështje shumë më komplekse” që përfshin kornizat ligjore, sigurimet shëndetësore, kurrikulat dhe besnikëritë institucionale.
Mund të ketë, tha ajo, “nivele të larta mosbesimi institucional, pasiguri ligjore, ndërprerje të vazhdimësisë së shërbimeve ekzistuese, qasje në arsim dhe shëndetësi në gjuhën amtare, si dhe njohje të diplomave në të gjitha nivelet e sistemit arsimor”.
Profesoresha gjithashtu theksoi se integrimi ngre çështje si “kush i punëson dhe paguan stafin, dhe në çfarë kushtesh në rast tensionesh të mëtejshme politike?”
“Në një kontekst të tillë, integrimi duket jo vetëm i vështirë, por edhe kundërproduktiv për përdoruesit kryesorë të sistemit aktual të shëndetësisë dhe arsimit, dhe mund të çojë në rritje të paqëndrueshmërisë, konfuzion institucional dhe përkeqësim të cilësisë së shërbimeve.”
Ajo tha gjithashtu se heziton t’ia besojë shëndetin e fëmijëve të saj “një sistemi që nuk e njoh dhe që nuk mbështetet nga skema e sigurimit ku kam kontribuar për 20 vitet e fundit”.
Ajo shprehu shqetësimin se shërbimet shëndetësore mund të mos ofrohen në gjuhën serbe, pavarësisht se ligji i Kosovës e njeh serbishten si gjuhë zyrtare krahas shqipes.
“Përdoruesit kryesorë të sistemeve aktuale të arsimit dhe shëndetësisë janë nxënësit dhe pacientët,” tha ajo.
“Ata janë grupe të ndjeshme dhe njerëz që varen nga qasja në këto shërbime në gjuhën e tyre amtare, të cilat aktualisht u ofrohen falas. Pasojat e integrimit mund të sjellin ndryshime strukturore dhe sistemore që e bëjnë jetën e përditshme të serbëve më të vështirë, duke nxitur potencialisht emigrimin.”
Njohja

Dukagjin Pupovci, ish-zëvendësministër i Arsimit në Kosovë dhe aktualisht drejtor i Kosovo Education Centre (KEC), tha se suksesi i integrimit varet nga gatishmëria e serbëve të Kosovës për të bashkëpunuar.
“Legjislacioni i Kosovës ofron hapësirë të mjaftueshme për integrim duke ruajtur identitetin e shkollave,” tha ai.
Sipas ligjit, komunat me shumicë serbe si Mitrovica e Veriut, Graçanica, Shtërpca kanë kompetenca të zgjeruara në shëndetësinë dytësore dhe arsimin e lartë, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve shëndetësore, punësimin, pagat dhe trajnimin e stafit.
Në arsimin e lartë, komuna e Mitrovicës së Veriut është e autorizuar të ofrojë programe universitare, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve arsimore, punësimin e stafit mësimor, pagesën e pagave dhe trajnimin e personelit akademik dhe administrativ.
Universiteti në Mitrovicën e Veriut është i vetmi në Kosovë që nuk menaxhohet në nivel qendror.
Nëse integrohet në sistemin e Kosovës, Pupovci tha se “duhet të marrë akreditim nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës dhe jo nga Serbia”. Ai gjithashtu duhet të ndryshojë emrin në “Universiteti i Mitrovicës së Veriut” dhe të heqë referencën ndaj Prishtinës.
“Dokumentet e tij duhet gjithashtu të njohin Republikën e Kosovës,” tha Pupovci.
Tekstet shkollore janë një çështje në nivelin parauniversitar. Ndërsa shkollat në zonat me shumicë serbe kanë të drejtë të përdorin kurrikulën dhe tekstet serbe, ato duhet gjithashtu të marrin miratim nga Ministria e Arsimit e Kosovës.
“Problemi është se ato as nuk duan të njohin autoritetin e ministrisë dhe as të paraqesin kërkesë formale.”
Jevtiq, studentja e drejtësisë, u ankua se serbët janë lënë në errësirë.
“Ka shumë pak komunikim transparent,” tha ajo. “Informacioni shpesh qarkullon përmes kanaleve jozyrtare, duke shkaktuar konfuzion dhe pasiguri tek publiku.”
Universiteti i Prishtinës i drejtuar nga Serbia në Mitrovicën e Veriut “nuk e njeh Kosovën si shtet, ndërsa Kosova nuk e njeh universitetin si pjesë të sistemit të saj”, tha Jevtiq.
Në mesazhin e tij të shtatorit 2025, Kurti përmendi verifikimin nga Kosova të 425 diplomave të lëshuara nga universiteti në Mitrovicën e Veriut, duke u dhënë mbajtësve të tyre qasje në tregun e punës në Kosovë. Por Jevtiq tha se ende ka shumë pasiguri.
“Pasiguri lidhur me njohjen e diplomave, cilësinë e arsimit dhe perspektivat e ardhshme profesionale bën që shumë të rinj ta shohin të ardhmen e tyre jashtë Kosovës,” tha ajo.
Ky artikull fillimisht u publikua ne Balkan Insight