Protesta e tretë radhazi, punëtorët e “Prishtina Parking” kërkojnë rritje të pagave
Punëtorët e ndërmarrjes “Prishtina Parking” kanë mbajtur protestën e tretë radhazi para zyrave të kësaj ndërmarrjeje, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
Kërkesat e tyre përfshijnë rritjen e pagës mujore, pagesën e shujtës, sigurimin shëndetësor si dhe pagesën e kontributit të sindikatës.
Sipas përfaqësuesi të sindikatës, Safet Zyba, deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje konkrete drejt arritjes së një marrëveshjeje me menaxhmentin e ndërmarrjes.
“Nuk ka pasë asnjë reflektim nga ana tjetër. Kjo situatë është e papranueshme dhe ne do ta vazhdojmë protestën” – deklaroi Zyba.
Ai shtoi se nëse nuk ka reagim, punëtorët do të detyrohen të ndërmarrin hapa të tjerë sindikalë.
Sindikata paralajmëron se fillimisht mund të nisë bojkot i punës, ndërsa nëse edhe kjo masë nuk sjell rezultat, nuk përjashtohet mundësia e hyrjes në grevë të përgjithshme, ndonëse sipas tyre kjo mbetet një alternativë e padëshiruar.
Nga ana tjetër, ata shprehen se përfaqësuesit e ndërmarrjes kanë deklaruar se po përballen me krizë financiare dhe borxhe të akumuluara.
Punëtorët kanë kërkuar edhe nga kryetari i komunës, Përparim Rama që të ndërhyjë për përmirësimin e kushteve të punës, sigurimin afatgjatë të vendeve të punës dhe garantimin e një page dinjitoze.
Për këto pretendime dhe kërkesat e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, KALLXO.com ka dërguar pyetjet në ndërmarrjen “Prishtina Parking” dhe në Komunën e Prishtinës, por deri në publikimin e artikullit asnjëra palë nuk ka kthyer përgjigje.