Projekti i dyshimtë i Ndërmarrjes Publike Banesore në Lakrishtë do të diskutohet në Asamblenë e re të Prishtinës

Në Kuvendin e Komunës së Prishtinës është ngritur çështja e projektit të Ndërmarrjes Publike Banesore në lagjen Lakrishtë.

Për asamblistët kishte ardhur një dokument nga NPB për kandidatin që do ushtrojë detyrën e drejtorit në vend të Hajdar Hoxhës, i cili u shkarkua para pak javësh.

NPB kishte marrë vendim që këtë detyrë ta marrë asamblisti i Partisë Social Demokrate, Bashkim Beha, por ky i fundit deklaroi se nuk do e pranojë një detyrë të tillë.

“E kam refuzuar këtë pozitë, nuk do jem u.d i drejtorit të NPB”, ka thënë Beha.

Në Kuvend u tha se ky vendim është i jashtëligjshëm pasi kur është marrë vendimi nga NPB, gjysma e bordit kanë qenë të shkarkuar dhe nuk është protokolluar.

Egzon Azemi nga Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të futet si pikë e rendit të ditës diskutimi për këtë projekt. Ai tha se tashmë nëpër shumë media kanë dalë raportime për parregullsitë e projektit.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti deklaroi se Kuvendi Komunal ka vetëm përgjegjësi politike dhe gjithçka që mund të diskutohet në asamble për projektin është nëse përfitimet do jenë oferta më e mirë për ndërmarrjen.

“Ky projekt për t’u ndërtuar si ide ka qenë nga vitin 2014 prej drejtorit Nexhat Krasniqi. Procedura që e ka përdorur NPB deri tani është përgjegjësi e bordit. Deri tani me kërkesë të Drejtorisë së Inspekcionit e kemi ndalur rrënimin deri sa të marrim leje nga ministria pasi duhet kompani e licencuar për të rrënuar material azbesti. Edhe pse janë rrënuar disa objekte me këtë material e nuk ka pasur reagime të tilla. Mënyra si janë ka shkuar procedura deri këtu është nën hetime. Ka edhe një padi për ministrin Liburn Aliu për ndalje të ndërtimit nga ana e NPB-së. Nëse futet në diskutim mund të flasim vetëm për përfitimet që mund të ketë ndërmarrja nga projekti pasi kuvendi nuk mban përgjegjësi ligjore”, ka thënë Ahmeti .

Derisa drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj ka thënë se me këtë projekt NPB ka qëllim të hyjë në treg të ndërtimit dhe do e përkrahë deri në fund.

Ai potencoi se ka interes nga ndërtesa përreth që ajo zonë të mos zhvillohet.

“Do e mbrojë deri në fund këtë projekt i cili do i mundësojë NPB të hyjë në tregun e ndërtimit. Pronarë të rezidencave përreth kanë interes që ajo zonë të mbetet ledinë dhe e pazhvilluar”, tha Kukaj.

Pas këtyre argumenteve Kuvendi nuk përkrahi kërkesën e Azemit që kjo çështje të hyjë si pikë e rendit të ditës për diskutim pasi është koha e fushatës dhe duhet të lihet për asamblenë e ardhshme.

KALLXO.com ka raportuar për projektin e NPB-së në Lakrishtë.

Ana e errët e projektit të ndërtimeve të Ndërmarrjes së Prishtinës