Vjosa Osmani dhe Natasa Pirc Musar FOTO: ZPRK

Procesi i Bërdo-Brione, presidentja Osmani takon homologen sllovene

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Bërdo-Brione, i cili po mbahet në Shkup, ka takuar presidenten e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar.

Sipas komunikatës së Presidencës, në këtë takim presidentja Osmani e ka vlerësuar partneritetin mes dy vendeve, duke theksuar se Kosova vazhdon të jetë mirënjohëse për rolin aktiv të Sllovenisë në mbështetjen e të ardhmes europiane të Kosovës.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e mbështetjes së mëtejme sllovene dhe potencoi se synim shtetëror e strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe në NATO, por edhe organizata të tjera ndërkombëtare ku do të avancohen interesat e qytetarëve të Kosovës”- thuhet në komunikatë.

Tutje, sipas komunikatës, presidentja Osmani dhe homologia Pirc Musar diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon.

“Sipas Presidentes Osmani, bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve është në funksion në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal pasi që Sllovenia është shembull për realizimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në strukturat euroatlantike”- thuhet tutje në komunikatë.

Temë e diskutimit në këtë takim homologesh ka qenë edhe dialogu me Serbinë dhe shtendosja e situatës në veri të Kosovës.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në këtë drejtim dhe do të ketë qëndrim konstruktiv në tërë procesin e dialogut. Ajo, megjithatë shtoi, se rruga e vetme për paqe e stabilitet afatgjatë është atëherë kur rezultati përfundimtar i dialogut me Serbinë është njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës”- thuhet tutje në komunikatë.

Në takim, sipas komunikatës së Presidencës, u rikonfirmua  përkushtimi për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës e Sllovenisë.

“Të dy krerët e shteteve diskutuan edhe për një gamë të gjerë temash, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, fuqizimin e grave dhe të rinjve, agjendën e gjelbër etj.”- thuhet tutje aty.

Presidentja Osmani është duke qëndruar në Shkup për të marrë pjesë në takimin e liderëve të Procesit të Bërdo-Brione.

Takimi i Bërdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, dhe fokusi kryesor është procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.

Temat qendrore të takimit të sivjetëm janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor. Procesi i Bërdo-Brione është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.