Komisioni për mbikëqyrje të financave diskutojnë raportin e auditimit për hidrocentralet

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike është duke shqyrtuar raportin e auditimit të performancës “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”.

Të ftuar janë ministrat Artane Rizvanolli e Liburn Aliu dhe kryesuesi i Bordit të ZRrE-së.

Kryesuesja e komisionit, Hykmete Bajrami tha se disa gjetje në auditim janë shqetësuese.

Ajo përmendi se ZKA ka gjetur se rreth 90% e hidrocentraleve veprojnë pa leje mjedisore.

“ZKA gjithashtu ka gjetur se në ndërtimin e hidrocentraleve nuk është respektu kriteri i lartësisë nga lumi. Janë dhënë 11 rekomandime prej këtij raporti” – tha deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Anëtarja e komisionit, Mirlinda Tishukaj Sadiku tha se nga 17 mostra, asnjë prej kushteve të ndërtimit nuk është caktuar kriteri i lartësisë së ndërtimit që rrezikon ujin dhe mjedisin.

Sipas saj, ka gjetje se hidrocentralet kanë leje për ndërtim nga ministria e mjedisit edhe pse kjo përgjegjësi ka qenë e Komunës së Deçanit.

“Një gjetje që ka konstatuar është edhe leja mjedisore e hidrocentrale, nga 17 hidrocentrale, 13 prej tyre kishin filluar operimin pa leje mjedisore. Këto kanë qenë të pa ligjshme që ka shkaktuar dëmtimin e mjedisit dhe ujërave” – u shpreh deputetja e LVV-së.

Ajo shtoi se prej vitit 2015-19 nuk janë monitoru asnjë nga hidrocentralet e ndërtuara nga inspektorati.

Ndërkaq, ministri Liburn Aliu tha se pajtohen me rekomandimet e ZKA-së dhe shton se janë në proces të zbatimit të tyre.

Ai tha se lumenjtë nuk kanë sasi të madhe të ujit dhe se duhet të janë të kujdesshëm në hartimin e dokumentacionit dhe lëshimin e lejeve.

“Hidrocentralet që nuk janë pajisur me leje ka komplikim. Kur kemi të bëjmë për leje mjedisore për hidrocentrale duhet të kemi gërshetim të lejeve të ndryshme dhe duhet të shqyrtohen dokumentacione të ndryshme”.

“Kemi raste kur objekteve të hidrocentraleve nëpër parqe nacionale i është lëshu leja edhe pse nuk është leju. Që të kemi leje të mirëfilltë ujore duhet të kemi menaxhim të pellgjeve ujore Në koordinim me komunat caktohet kriteri i lartësisë së pellgut të lumit për ndërtimin e hidrocentraleve” – tha ai.

Pastaj, kryesuesja e komisionit, Hykmete Bajrami iu drejtua ministrit Aliu duke e pyetur se deri kur do të vazhdojnë të operojnë pa leje mjedisore 14 hidrocentralet.

“Sipas raportit keni rreth 14 hidrocentrale që operojnë pa leje mjedisore. Cila është poenta që ata me u pajis me leje kur nuk respektohet. Çka keni me bo ju në këtë drejtim? Deri kur do të operojnë pa leje?” – tha Bajrami.

Ndërlidhur më këtë ministri Liburn Aliu tha se “prej raportit të inspektoratit, ne e kemi ndalu punën për 15 hidrocentrale”.