Anulohet konkursi për drejtor të RTK 2

Konkursi për zgjedhjen e drejtorit të RTK 2 është anuluar nga komisioni i ankesave.

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka mbajtur sot, më 9 nëntor, mbledhjen e radhës.

Anëtari i bordit, Biroll Urcan, njëkohësisht anëtar i komisionit të ankesave,  tha se së paku një pikë e ankesës të një kandidati ka qenë e bazuar, dhe për këtë kanë vendosur të anulojnë konkursin.

“Komisioni i ankesave ka qenë i përbërë nga unë, Shukrije Rama dhe Radojica (Mrdjinac). Kemi marrë ankesën nga ky konkurs dhe jemi mbledhur në afatin e duhur për ta shqyrtuar. E kemi shqyrtuar ankesën dhe dokumentacionin përcjellës për ankesën e njërit prej kandidatëve. Në ankesën e tij kemi vërejtur se së paku njëra nga pikat është valide dhe sipas procedurave dhe rregullave kemi marrë vendim për anulimin e konkursit. Vendimi është nënshkruar, protokolluar dhe dorëzuar në afatin e duhur. Tash i mbetet menaxhmentit dhe bordit të vendosim tutje” – tha Urcan.

Anulimin e konkursit e konfirmoi më pas dhe kryetari i bordit, Besnik Boletini. “Po, u anulu. Komisioni i ankesave vendos”- tha ai.

Bordi i RTK-së më 6 shtator kishte shpallur konkursin për drejtor të RTK 2, ndërsa më  26 shtator kishte formuar grupin punues dhe komisionin e ankesave.

Konkursi është shpallur pasi në fund të këtij viti mbaron mandati i drejtorit të RTK 2.

Drejtori aktual i RTK 2, Zhelko Tvërdishiq është suspenduar me vendim të bordit pasi RTK 2 të vrarët në Banjskë i quajti “viktima”.

Dorëheqjet në RTK, diskutime në bord

Në këtë mbledhje të bordit të RTK-së u ngrit shqetësimi për dy dorëheqje në RTK, atë të drejtorit të shërbimeve të përbashkëta, Alban Fetahu dhe atë të burimeve njerëzore, Teuta Haxhimusa.

Anëtarja e bordit, Shukrije Rama, tha se këto dorëheqje duhet të jenë shqetësuese e duhet të gjendet sipas saj ‘ fajtori’ për to.

“A nuk janë shqetësuese këto dorëheqje? Duhet me e gjetë fajtorin, vijnë njerëzit që zgjidhën më të mirët me konkurs, e dorëhiqen, është me u shqetësu”- tha Rama.

“Unë po e kuptoj Shukrijen, sepse e ndaj shqetësimin e njëjtë.  RTK ka sfida shumë” – tha Besnik Boletini, kryetari i bordit.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, raportoi para bordit mbi zbatimin e vendimit për raport ditor/mujor të punëtorëve të RTK-së ndërsa ka lexuar edhe letër-dorëheqjet nga Fetahu dhe Haxhimusa.

“Ne kemi qenë në diskutim se çfarë lloj modeli po e përdorim, atë formën që e kemi përdorë këtu ka qenë problem administrimi i saj. Në fund të ditës është ideja që kurrkush të mos ketë qasje në punën e secilit por vetëm udhëheqësit e njësive. Ka qenë ideja të formohet një lloj aplikacioni ku secili e ka dosjen e vet për aktivitetin e tij që e administron udhëheqësi i tij bashkë me burimet njerëzore por jo me një ‘open document’, ku çdokush mundet me hi me këqyrë apo të mund ta editojë pas një muaji apo dy. Kjo forma perfekte ende nuk ka mbërri por sidoqoftë kemi diskutu bashkë me udhëheqësit e njësive, punëtorët që ta zbatojmë vendimin për raportimin e aktiviteteve ditore në një raport mujor. Për shkak edhe të dorëheqjes së drejtoreshës së burimeve njerëzore nuk e kam marrë një “feedback” të fundit” – tha ai.

“Tash, po mendoj me e pasë një ushtrues detyre duke qenë se jemi në fund të procesit të reformës do të kemi ndryshim në strukturën e këtij departamenti dhe emërtimin, po besoj, që nuk është e nevojshme që me e shpallë konkursin deri në janar, ndonëse është pozitë e rëndësishme” – theksoi Ahmetxhekaj.

Anëtarja e bordit, Fatime Lumi Qehaja, kërkoi të trajtohet urgjent mbetja vakante e këtyre dy pozitave në RTK.

“Drejtor do të ishte mirë të na informosh për arsyen e dorëheqjes por edhe duhet të trajtohet me më seriozitet. Sepse jemi duke folur për dy pozitat kyçe që nuk janë, shërbimet e përbashkëta dhe burimet njerëzore. Duhet të trajtohen urgjent. Nuk është në rregull një organizim të tillë aq më pak siç janë shërbime e përbashkëta që obligohet edhe me ligj me e pasë RTK-ja. Për momentin e kemi një departament të tanë pa udhëheqës. Është me e rëndësishme sesa me e lënë për reformë sepse reforma përsëri do ta kërkojë” – tha Lumi Qehaja.

Për drejtorin e përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, pozita e drejtorit të shërbimeve të përbashkëta është e panevojshme.

“Në qoftëse ju insistoni me e shpall, e shpallim. Por pozita e udhëheqësit të përbashkëta është e padobishme sepse na kemi detyrim me pas ZKF… nëse ne e ngrisim aty ku duhet pozitën e zyrtarit kryesor financiar, ZKF, atëherë nuk kemi nevojë për shërbime të përbashkëta. Ne tërë kohën kemi thënë që reformën po e bëjmë për prodhim dhe me e largu burokracinë, kjo nuk është reformë” – tha Ahmetxhekaj.

Por anëtarja e bordit të RTK-së, Fatime Lumi Qehaja, theksoi se një pozitë e tillë përcaktohet me ligj dhe se nuk mund ta injorojnë atë.

“Udhëheqësi i shërbimeve të përbashkëta nuk e ka vetëm departamentin e financave por edhe kompetenca të tjera, është obligim ligjor. Jemi duke folë për pozitë që e kërkon ligji. Mendoj që është një vakuum në RTK… Nuk mund ta injorojmë ligjin” – theksoi Lumi Qehaja.

KALLXO.com kishte raportuar për dyshimet për afërsinë e anëtarëve të bordit me Teuta Haxhimusën si kandidate e përzgjedhur në pozitën “udhëheqëse e administratës dhe burimeve njerëzore” në shtator.

Ndërsa Alban Fetahu ishte përfshirë në degradimin e kryesindikalistit të RTK-së, Fadil Hoxha, e më pas Inspektorati i Punës kishte gjetur se Fetahu dhe RTK kishin kryer shkelje në degradimin e Hoxhës.

Sindikata e Pavarur e RTK-së: Inspektorati i Punës konstatoi shkelje në rastin e Fadil Hoxhës

www.kallxo.com