Qalaj i thotë deputetes së LVV-së 'je bërë si papagall'

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, i ka thënë deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj Sadiku, se ‘është bërë si papagall’, derisa po mbahej mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Në rend dite në këtë Komision ishte shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për vitin 2021, ku e ftuar ishte ministrja Arbërie Nagavci.

Anëtarët e Komisionit nga LVV në shenjë revolte e kanë lëshuar mbledhjen. Ndërkaq, deputeti Qalaj tha se nuk e ka ndërmend ta tërheq fjalën.

Edhe ministrja Nagavci tha se për të është e papranueshme që t’i drejtohet ashtu deputetes.

“Për shkak të përgjegjësisë dhe obligimit po qëndroj këtu” – tha Nagavci.

Nagavci gjatë raportimit tha se kanë bërë performancë më të mirë, ku sipas saj i kanë realizuar shumë rekomandime që Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë.

“Për çështjen e veriut, e dini për këtë pagesën e serbëve e kam adresuar, ndonëse çështja e pagesës të 32 mësimdhënësve serbë ka qenë një traditë e mos mbikëqyrjes së punës së tyre. Ne kemi nënshkruar më 15 qershor një marrëveshje momerandumi me komunat ku për çdo muaj kemi raport për punën e tyre. Çështjen e Mbivlerësimin e pasurive, tashmë e kemi adresuar në Ministrinë e Financave. Po ashtu edhe për vonesën pagesave i kemi adresuar. Vonesa prej 160 ditë është për shkak të projektit ‘gjuha dhe ndalesa’ që ka qenë projekt më herët, dhe për këtë kemi bërë padi” – tha Nagavci.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, ka thënë se më përpara këto gjëra nga LVV janë cilësuar si tendencë për korrupsion.

“Keni thënë se do t’i heqin nga pagesat mësimdhënësit, e tani keni bërë marrëveshje. Po duket që tradita po vazhdon. Zyra Kombëtare thotë që pas dy muajve janë pagu këta zyrtarë….. Me u vonu vlerësimin e ofertave 15 ditë është goxha kohë e madhe. Me u vonu pagesat deri në 1 vjet. Kolegët e mi nga VV-ja këto më herët i kanë cilësuar si tendence për korrupsion” – tha Bajrami.

E ministrja Nagavci tha se që nga koha kur ka marrë detyrën ka konstatuar se janë 32 zyrtarë serbë që nuk iu dihet as kontakti.

“Në momentin që e kam marr detyrën kam konstatuar që janë 32 zyrtarë serbë që nuk iu dihet as kontakti. Që nga viti 2015 deri 2021 janë paguar pa asnjë analizë. Unë iu kam kërkuar që të hiqen nga listat, pas kësaj këta janë lajmëruar dhe kanë thënë që është dashur t’i ofrohen kushtet për punë dhe se asnjëherë nuk janë kontaktuar nga askush. Si ministri jemi siguruar që t’iu kërkojmë punë dhe llogari. Këtë zyrtarë i kryen punët dhe japin llogari çdo muaj. Konsideroj që kemi bërë një punë shumë të mirë” – u shpreh ajo.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, tha se Nagavci ka dështuar si ministre.

“Pse s’ke marrë vendim për këta 32 punonjës. Mbi të gjitha duhesh me dhënë dorëheqje se e ke shkelë kushtetutën. Kurti ka thënë që kur shket akti më i lartë i vendit quhesh superkriminel” – u shpreh ajo.