Ndryshimi i destinimit të investimeve nga menaxherët e kontratave, KOSTT përgjigjet para Komisionit

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike po shqyrton raportin e auditimit të performancës “Projektet kapitale të operatorit të sistemit, transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës”.

Halil Thaçi, nga Lëvizja Vetëvendosje tha se një menaxher i kontratës pa aprovim të kryeshefit ka bërë ndryshime në destinacion të investimeve.

“Një menaxher i kontratës pa aprovim të kryeshefit ka bërë ndryshime në destinacion të investimeve, kjo është gjetje serioze, a është marr ndonjë masë ndaj këtij personi?”- tha Thaçi.

Jeton Mehmeti, kryesues i Bordit të KOSTT tha se në disa mbledhje është ngritur ky shqetësim.

“Raporti është dërgu në prokurori dhe jemi marr me këtë rast. Në disa mbledhje e kemi ngritur këtë shqetësim”- u përgjigj Mehmeti.

Alban Ymeri nga KOSTT u shpreh se ndryshimet që janë bërë nuk kanë pasur impakt buxhetor. Ai shtoi se natyra e punës ka qenë e njëjtë, por vetëm është ndryshuar destinacioni.

Në anën tjetër, Hykmete Bajrami, kryesuese e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike shtroi pyetjen se “A bëhen kërkesa për ndryshime të tilla pasi një menaxher të vendos për këso gjëra duket e paarsyeshme”, gjersa Jeton Mehmeti nga KOSTT u përgjigj duke thënë se Bordi i drejtorëve e ka trajtuar specifikisht rastin ku menaxheri ka bërë ndërrim-destinim të investimeve.

Pyetje pati edhe nga anëtari i komisionit Eman Rrahmani, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili pyeti se kur do të ketë investime në Dragash.

Për këtë, kreu i bordit të KOSTT-it tha se projekti për Dragashin do të bëhet nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).

“Rasti i Malishevës është projekt i parë që po e insistojmë për këtë vit, derisa ai për Dragashin do bëhet nga KfW, këto kredi shkojnë edhe përmes qeverisë”- u përgjigj Mehmeti.

KOSTT: Do ndërtojmë nënstacionin në Malishevë