Foto-ilustrim

Prizren, paraburgim për djalin që dyshohet se e kërcënoi nënën me sëpatë

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.F., i dyshuar për kanosje ndaj nënës së tij.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Fatmir Krasniqi, kërkesën e prokurorit e ka aprovuar si të bazuar dhe masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji llogaritet nga data 16.11.2020 deri më 15.12.2020.

“Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se e pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e Prokurorisë së Shtetit, po ashtu janë përmbushur kushte për caktimin e paraburgimit të përcaktuar me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, sepse hetimet në këtë çështje sapo kanë filluar, dhe për shkak se ekzistojnë rrethana të veçanta se i pandehuri dhe e dëmtuara janë anëtarë të familjes, andaj caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prizrenit.

Gjithashtu, Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, në ambientet familjare – shtëpi, ku pas fjalosjes dhe mosmarrëveshjeve që i pandehuri kishte me të dëmtuarën – nënën e tij, e kanos se do ta privojë nga jeta, në atë mënyrë që pasi i pandehuri i kërkon para nënës së tij dhe e njëjta nuk kishte para për t’i dhënë, i pandehuri revoltohet dhe me përdorim të mjetit të rrezikshëm, duke e marrë sëpatën e kanos me ç ‘rast tek e dëmtuara shkakton frikë, pasiguri, ankth për jetën e saj.

Sipas njoftimit të Gjykatës, kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese përmes Gjykatës së Prizrenit në Gjykatën e Apelit, por ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.