Nuk e pranon fajësinë i akuzuari për kontrabandim me migrantë

Në Gjykatën e Prishtinës të martën u mbajt seanca e shqyrtimit gjyqësor në procedurën kundër të pandehurit Fatmir Krasniqi i cili akuzohet për kontrabandim me migrantë si dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.

Sipas gjykatës Krasniqi e kishte pranuar fajin lidhur me akuzat e armëmbajtjes pa leje.

Ndërsa në seancën e së martës, nuk e pranoi fajësinë lidhur me akuzat e kontrabandimit me migrantë.

“Me pas dëshmitarë e pranoj menjëherë, por unë e mohoj se ka pasur përfitim” deklaroi Krasniqi në seancë.

Përgjatë kësaj seancë u dhanë fjalët hyrëse, u bë administrimi i provave materiale si dhe u dha mbrojtja e të akuzuarit me ç’rast i njëjti u përgjigj ndaj pyetjeve të Prokurorit Burim Qerkini si dhe avokates së tij mbrojtëse Besiana Ismajli.

Pyetje i parashtroi edhe trupi gjykues, i cili në këtë rast përbëhet prej Kujtim Krasniqit – kryetar dhe anëtarëve Valon Kurtaj dhe Lutfi Shala.

Në këtë seancë ishte e paraparë që të dëgjohej dëshmitari H.R, por që i njëjti nuk ishte paraqitur në gjykatë.

Lidhur me këtë dëshmitarë i akuzuari deklaroi se të njëjtin nuk e njeh fare.

Prokurori Qerkini propozoi që dëshmia e H.R., të lexohet me qëllim të ekonomizimit të procedurës, pasi që i njëjti ndodhet në Gjermani dhe nuk mund të paraqitet në gjykatë.

Mbrojtja e kundërshtoi këtë propozim, mirëpo trupi gjykues e aprovuan kërkesën e Prokurorisë.

Gjatë mbrojtjes së tij Krasniqi deklaroi se nuk e njeh asnjë prej tre dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.

Ndërsa në pyetjen e avokates së tij se “a e di çka është kontrabandimi me migrant” Krasniqi u përgjigj se “jo, si term e di që me qit njerëz jashtë”.

Ndërkaq, në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Kujtim Krasniqi se a kishte qenë më herët i dënuar për vepër të ngjashme, i akuzuari u përgjigj se “po, për qeto qe jom tash tu e mbajt dënimin”.

“Kam bo najherë ndonjë vizit-karte për rent car” ishte përgjigja e të akuzuarit ndaj pyetjes së gjyqtarit Valon Kurtaj lidhur me faktin se pse i ishin gjetur 155 kartela blanco në shtëpinë e tij.

Tutje Kurtaj e pyeti se “cila është arsyeja qe ju është gjete printer me plastifikim, kartela blanco, prerëse e kartelave në banesën tuaj” por që përgjigja e të akuzuarit mbeti i njëjta.

Prokuroria Speciale e Prishtinës në vitin 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Fatmir Krasniqit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale të kontrabandimit me migrantë si dhe mbajtja e paautorizuar e armëve.

Sipas aktakuzës Fatmir Krasniqi akuzohet se gjatë vitit 2020 dhe 2021 me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë financiar ka prodhuar, furnizuar, siguruar ose poseduar dokumente të rrejshme udhëtimi ose identifikimi me qëllim të kontrabandimit me migrantë.

Gjithnjë sipas aktakuzës për përfitimin e shumave të ndryshme prej 100 – 200 euro për dokument ka vendosur aparaturat me të cilat ka bërë prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Dokumentet e falsifikuara sipas aktakuzës janë karta të identitetit të Republikës Italiane, patentë-shoferë të Irlandës, patent-shofer i Republikës së Kosovës, patent-shofer i Republikës së Serbisë, një faqe e formatit të pasaportës së plastifikuar me imazhe të Republikës së Serbisë dhe dokumente të tjera si pasaportë, letërnjoftime, patentë shofer si dhe dokumentacione të tjera siç janë të Kroacisë dhe Italisë.

Procedura ndaj tij është veçuar në tetor të vitit të kaluar, meqë për të njëjtat vepra akuzoheshin edhe djemtë e tij Florim dhe Florent Krasniqi si dhe 9 persona të tjerë.

Seanca ndaj të lartcekurve u mbajt të marten në Gjykatën e Prishtinës.