Procesi gjyqësor për të akuzuarin për kontrabandim me migrantë po shkon drejt fundit

Fatmir Krasniqi edhe një herë tjerë u përball me akuzat të cilat prokuroria i’a vë në barrë.

I njëjti akuzohet për kontrabandë me migrantë dhe për armëmbajtje pa leje, për këtë të fundit i njëjti kishte pranuar fajësinë.

I pafajshëm lidhur me veprën penale të kontrabandimit ishte deklaruar Krasniqi para Gjykatës së Prishtinës.

Prokurorja Habibe Salihu në fjalën e saj përfundimtare tha se mjetet e sekuestruara gjatë bastisjes, janë mjete që janë përdorur nga i pandehuri për kryerjen e veprës penale për të cilën edhe akuzohet.

Andaj për këtë, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Habibe Salihu, kërkoi nga Gjykata që gjatë matjes së dënimit të merret për bazë fakti që i njëjti është recidivist.

“Propozoj që të njëjtin ta shpall fajtor dhe ti shqipton dënim duke marrë parasysh se i njëjti është recidivist…, i njëjti është në vuajtje të dënimit për vepër të njëjte penale, propozoj që ti shqiptohet një një dënim bazuar duke pasur parasysh edhe të kaluarën e tij lidhur me aktivitetet e tjera kriminale”- Habibe Salihu.

Kurse mbrojtësja e të akuzuarit Krasniqi, Besjana Ismajli, fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar te kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, dhe anëtarët, Lutfi Shala e Valon Kurtaj.

Kurse vetë i akuzuari Krasniqi, mbështeti fjalën përfundimtare të mbrojtëses së tij.

Shpallja e këtij aktgjykimi për këtë rast do të bëhet më 18 gusht 20223.

Prokuroria Speciale e Prishtinës në vitin 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Fatmir Krasniqit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale të kontrabandimit me migrantë si dhe mbajtja e paautorizuar e armëve.

Sipas aktakuzës, Fatmir Krasniqi akuzohet se gjatë vitit 2020 dhe 2021 me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë financiar ka prodhuar, furnizuar, siguruar ose poseduar dokumente të rrejshme udhëtimi ose identifikimi me qëllim të kontrabandimit me migrantë.

Gjithnjë sipas aktakuzës për përfitimin e shumave të ndryshme prej 100 – 200 euro për dokument ka vendosur aparaturat me të cilat ka bërë prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Dokumentet e falsifikuara sipas aktakuzës janë karta të identitetit të Republikës Italiane, patentë-shoferë të Irlandës, patent-shofer i Republikës së Kosovës, patent-shofer i Republikës së Serbisë, një faqe e formatit të pasaportës së plastifikuar me imazhe të Republikës së Serbisë dhe dokumente të tjera si pasaportë, letërnjoftime, patentë shofer si dhe dokumentacione të tjera siç janë të Kroacisë dhe Italisë.

Procedura ndaj tij është veçuar në tetor të vitit të kaluar, meqë për të njëjtat vepra akuzoheshin edhe djemtë e tij Florim dhe Florent Krasniqi si dhe 9 persona të tjerë.

Seanca ndaj të lartcekurve u mbajt të marten në Gjykatën e Prishtinës.