Aksidenti në Prizren, i akuzuari dënohet me burg, gjyqtari ia zëvendëson dënimin me gjobë 1,600 euro

Gjykata e Prizrenit e ka shpallur fajtor Xhemajl Zhurin, i akuzuar për aksidentin e trafikut që ka ndodhur më 21 dhjetor 2023 në Prizren.

Zhuri akuzohet se e kishte goditur me veturë Samir Kervanin i cili ishte duke e kaluar rrugën në pjesën e dedikuar për këmbësorë.

Për këtë aksident, Xhemajli Zhuri e pranoi fajësinë dhe i kërkoi falje të dëmtuarit për lëndimet. Ai tha se aksidenti ka ndodhur për shkak të pakujdesisë dhe pa dashje.

Pas kësaj, gjykatësi Fatmir Krasniqi shpalli aktgjykimin, në bazë të të cilit i pandehuri u dënua me 6 muaj burg efektiv.

Por, gjykatësi e pranoi kërkesën e avokatit të të pandehurit që dënimi me burg të zëvendësohej me gjobë.

Kështu, gjykatësi Xhemajli Zhurin e dënoi me gjobë në vlerë 1,600 euro.

Ndërsa, Forti Skoro, avokat i të dëmuarit, tha se pas konsultimeve me klientin e tij do të vendosin nëse do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit.

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pak minuta pas mesnatës, më 21 dhjetor 2023.

Samir Kervan ishte goditur nga një veturë teksa po kalonte rrugën në pjesën për këmbësorë.

Pamjet e publikuara nga KALLXO.com tregonin momentin e goditjes të këmbësorit dhe përpjekjet e shoferit për t’i ofruar atij ndihmë.

https://fb.watch/pCDunHZ2Pj/

Për shkak të lëndimeve, Samir Kervan ishte dërguar në Spital.