ILUSTRIM Punëtor ndërtimtarie - Foto: REL/AFP

Lëndimi i punëtorit në Prizren, arrest shtëpiak për njërin prej pronarëve

Gjykata e Prizrenit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak S.A., njërit prej pronarëve të biznesit, në të cilin u lëndua një punëtor në vendin e punës.

Dy ditë më parë, D.A., dyshohet se ka rënë nga 5 metra lartësi teksa po punonte në një objekt në ndërtim e sipër pa rrethoja mbrojtëse dhe masa të tjera.

Të mërkurën, para gjykatës, prokurori i rastit Shpend Binaj ka theksuar se ngelet në tërësi si në kërkesën e arrestit shtëpiak se me datë 17 korrik 2023, personi juridik “Master Projekt SHPK” dhe S.A., si përgjegjës i personit juridik rrezikon jetën e të dëmtuarve duke mos i ndërmarr masat për siguri dhe shëndet në punë.

Ndërkaq Blend Gjini, avokati i të pandehurit ka deklaruar se S.A., nuk është përgjegjës e as palë nënshkruese ndërmjet punëkryesit dhe punëmarrësit.

Gjini ka shtuar se punëkryes ka qenë “Master Projekt” dhe barra e kësaj bie mbi arkitektin dhe mbikëqyrësin e punishtes.

“Punëtori ka qenë i pajisur me të gjitha masat mbrojtëse duke përfshirë helmetën, rrobat e veçanta gjatë punës ndërtimore si dhe certifikatat e trajnimit për kryerjen e sigurtë të punës nga lëmia e sigurisë”-deklaroi Gjini.

I pandehuri S.A., shtoi se me të dëmtuarin kanë qenë gjithmonë afër duke i dhënë edhe ndihmë mjekësore deri në përfundimin e operacionit.

Pas kësaj gjykatësi i çështjes, Fatmir Krasniqi ka marr vendim që ndaj të pandehurit të caktohet masa e arrestit shtëpiak për shkak të veprës penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë.

Sipas Prokurorisë, më datë 17 korrik 2023, në Prizren, si person juridik “Master Projekt SHPK” dhe S.A. në cilësinë e përgjegjësit për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës nga pakujdesia nuk i ndërmerr masat e domosdoshme për të siguruar vendin e punës duke i rrezikuar jetën punëtorëve D.A., dhe E.S.

Tutje në aktvendimin e Prokurorisë thuhet se ditën kritike deri sa i dëmtuari ka qenë duke punuar në objektin në ndërtim e sipër, pa vendosur rrethoja mbrojtëse(skele) as masa të tjera të sigurisë të parapara sipas ligjit të punës.

Si pasojë e kësaj I dëmtuari E.S., bie nga lartësia 5 metra së bashku me një pjesë të pllakës së betonit në tokë ku merr lëndime të rënda trupore në pjesën e shputës së këmbës. Ndërkaq, D.A., merr lëndime të lehta trupore.

Me këtë sipas prokurorisë kishte për të kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi  i sigurisë në vendin e punës.