Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Akuzohet se bëri prodhimin e dokumenteve të falsifikuara të vendeve të ndryshme, gjykata jep dënimin

Fatmir Krasniqi u shpall fajtor nga Gjykata e Prishtinës për kontrabandim me migrantë dhe armëmbajtje pa leje dhe u dënua me 3 vjet e gjysmë burgim e 20 mijë euro gjobë.

Për veprën penale të kontrabandimit me migrantë u dënua me gjobë 18 mijë euro kurse për posedim të paautorizuar të armës u dënua me gjobë në shumë prej dy mijë euro.

Lidhur me akuzat për kontrabandim me migrantë, trupi gjykues i përbërë nga Kujtim Krasniqi – kryetar, Valon Kurtaj dhe Lutfi Shala – anëtarë, i shqiptuan edhe dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e gjashtë muaj.

Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga gushti i vitit 2021 deri në gusht të vitit 2022.

Gjykata gjithashtu urdhëroi konfiskimin e parave në shumë mbi 2 mijë euro, si mjete të përfituara nga vepra penale si dhe konfiskimin e armës së gjetur tek i akuzuari.

Kujtojmë se i akuzuari gjatë gjykimit ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, kurse për kontrabandim me migrantë është deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës, Fatmir Krasniqi akuzohet se gjatë vitit 2020 dhe 2021 me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë financiar ka prodhuar, furnizuar, siguruar ose poseduar dokumente të rrejshme udhëtimi ose identifikimi me qëllim të kontrabandimit me migrantë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për përfitimin e shumave të ndryshme prej 100 – 200 euro për dokument ka vendosur aparaturat me të cilat ka bërë prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Dokumentet e falsifikuara sipas aktakuzës janë karta të identitetit të Republikës italiane, patent-shofer të Irlandës, patent-shofer i Republikës së Kosovës, patent-shofer i Republikës së Serbisë, një faqe e formatit të pasaportës së plastifikuar me imazhe të Republikës së Serbisë dhe dokumente të tjera si pasaportë, letërnjoftime, patent-shofer si dhe dokumentacione të tjera siç janë të Kroacisë dhe Italisë.

Procedura ndaj tij është veçuar në tetor të vitit të kaluar, meqë për të njëjtat vepra akuzoheshin edhe djemtë e tij Florim dhe Florent Krasniqi si dhe 9 persona të tjerë.